Mjaftonte mbrëmë për të parë një fotografi të vetme (rendin e parë të ulëseve) në hapjen solemne të shtabit komunal të degës së BDI-së në Studeniçan për të kuptuar banorët e Studeniçanit dhe të gjithë Karshiakës se sa e “reformuar” është kjo degë e kësaj partie, çfarë ardhmërie mund të pritet nga këta ish të dështuar politikë, çfarë mysafirë i kanë “nderuar” këto vise me ardhjen e tyre dhe sa pak banorë të Studeniçanit shiheshin aty edhe përskaj kërcënimeve marramendëse që të shkojnë në tubimin e sotëm, thuhet në deklaratën e Lëvizjes BESA.

“Ndonëse flitet për “reformimim” e degës dhe krijimin e hapësirës për rininë, që edhe ajo të inkuadrohet në proceset politike, kur e shohim kryetarin e degës që asnjëherë nuk është futur në votim, kjo për shkak të përçarjes së BDI-së në 3-4 grupacione në Studeniçan, ish kryetarin e dështuar të Komunës, të njohur për aferën e çokollatave dhe akulloreve, dhe ish deputetin historik të Karshiakës me minutazhë “rekorde” (zero minuta) në fjalimet e tij në Kuvendin e R. së Maqedonisë, nuk ka se çfarë të presim ende nga një strukturë e tillë. Këta tre persona asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi për humbjet e tyre, por bile u avancuan dhe u larguan nga sytë e popullit që i votoi dhe u besoi.

Për mysafirët mjafton të thuhet qartë dhe shkurt ajo se popullata e Studeniçanit nuk përkrah keqpërdorues të detyrave publike, si Bekim Neziri e Blerim Bexheti, me të cilët Kryesia e BDI-së në Studeniçan vazhdon të krenohet dhe mburret”, thonë nga kjo Lëvizje.

Lëvizjes BESA më tej thekson se BESA e Studeniçanit ka rininë, ka vullnetin pa çmim dhe asnjë kushtëzim, por i ka edhe njerëzit pa bagazh e me suksese profesionale, si dhe vizionin afatgjatë për të bërë politikë të suksesshme.

BESA e Studeniçanit ngrihet mbi përgjegjësi morale dhe llogaridhënie në çdo cak të Studeniçanit, qoftë ajo dështim ose ngadhënjim, thuhet në përfundimin e komunikatës.