Lëvizja BESA ishte zotuar publikisht se do të fillojë ta realizojë një aksion të gjerë për ta shpëtuar votuesin shqiptar, kjo për shkak të mundësisë së fshirjes nga lista e shpallur me 40 mijë persona të kontestuar nga KSHZ-ja. Kështu, mes tjerash, aktivistët e BESËS do ta kontaktojnë secilin votues të asaj liste dhe do t’ia dorëzojnë një fletushkë me udhëzime se si të rikthehet në listën e votimit, por edhe t’i ndihmojnë që ai ta realizojë këtë detyrë.

Në vazhdën e këtij aksioni gjithëpërfshirës së fundmi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, u ka dërguar nga një letër përfaqësive diplomatike perëndimore në Shkup, në të cilat ka shpjeguar se nga kontakti i përditshëm dhe i vazhdueshëm me popullatën, por edhe nga analizat e bëra në atë listë, rezulton se përpilimi i saj ka pasur ndonjë tendencë tjetër, ngase ne kemi gjetur dhjetëra e qindra shembuj me emra të përveçëm që ka vite që nuk kanë dalë nga Maqedonia, që marrin rroga/pensione secilin muaj në këtë vend e që i paguajnë faturat e shpenzimeve mujore.

“Nëse sot fshihen si pa të keq kaq shumë votues, askush nuk garanton që nesër atyre nuk u merret edhe shtetësia dhe braktisen si njerëz pa atdhe”, thuhet mes tjerash, në letrën e dërguar deri tek përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shkup nga ana e kryetarit Kasami.