Lëvizja BESA: Deklarata cinike e Ahmetit për “Jugohromin” u kushton jetë tetovarëve

Pas deklaratës cinike të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Bashkim Ahmeti, se nuk do të jetë avokat i fabrikës “Jugohrom”, Departamenti i  Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Lëvizjes BESA konsideron se deklaratat e tilla të pamatura, përveç ironisë pa shije që shprehin, kanë për synim edhe ta fshehin realitetin dhe përgjegjësinë qe ka kjo ministri dhe qeveria në të cilën bën pjesë ai.

Duke stërtheksuar se përgjegjës kryesorë për ngecjen dhe zvarritjen e punimeve për vendosjen e filtrave janë pikërisht këta “Joavokatë”, që janë në shërbim të biznes-partnerëve të koalicionit VMRO-BDI, Departamenti i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Lëvizjes BESA kësaj radhe e pyet ministrin në fjalë se avokat i kujt është ai? Sepse nëse nuk është avokat i qytetarëve dhe votuesve, atëherë emri avokat na kujton titullin e një filmi, që mund t’i shkojë për shtati detyrës së tij. Prandaj që të mos bëjë avokati të tilla, ne i bëjmë thirrje ministrit që të jetë më serioz me deklarimet e tij dhe temën e Jugohromit të mos e zë si temë me të cilën ai mund të tallet, sepse ajo qytetarëve të Tetovës u kushton me jetë.

Me këtë rast e përshëndesim deklaratën e ambasadorit amerikan,, z. Bejli, që – për dallim prej ministrit kujdestar – ishte shumë inkurajues për zgjidhjen e këtij problemi.

Në fund do të duhet të theksojmë se nëse ministri vazhdon kështu të tallet me qytetarët e Tetovës dhe t’i detyrojë ata të vdesin në mënyrë të ngadaltë, Lëvizja BESA do të jetë e detyruar t’i radikalizojë masat, t’u bashkohet protestave të sektorit civil ose të organizoj protesta të tjera, gjithë kjo me qëllim që ta mësojë ministrin se cilat janë detyrat e tij, ndërsa kjo të reflektojë edhe më ajër të pastër për qytetarët e Tetovës.