Pasi që mbrëmë ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli, (i mbështetur edhe nga BE-ja) e kumtoi qëndrimin e tyre se në Maqedoni nuk janë përmbushur kushtet që zgjedhjet të mbahen më 24 prill të këtij viti, Lëvizja BESA e përshëndet këtë deklaratë dhe konstaton se kështu është konfirmuar edhe një herë qëndrimi jonë se në këtë kushte në Maqedoni nuk ka mundësi që të mbahen zgjedhje.

Pas kësaj Lëvizja BESA, ashtu siç është shprehur edhe më herët, bën thirrje edhe një herë që, para se të flitet për çfarëdo date për mbajtjen e zgjedhjeve, së pari të insistohet detyrimisht që të përmbushen të gjitha kriteret për mbajtje të zgjedhjeve të drejta dhe të lira, por edhe të realizohet në përpikëri secila pikë e Marrëveshjes së Përzhinës, sepse vetëm zgjedhjet e lira mund të jenë garanci për një shoqëri të hapur dhe demokratike në Maqedoni.

Përveç kësaj, Lëvizja BESA e ripërsërit qëndrimin se ajo, ndonëse është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhje kurdo që të organizohen ato, aq më shumë që kjo është bërë nevojë dhe kërkesë e popullatës për ta delegjitimuar këtë klasë të konsumuar politike, megjithatë ajo nuk do të marrë pjesë në asnjë palë zgjedhje, për të cilat nuk ka garanci ndërkombëtare se janë plotësuar kushtet për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve të OSBE-së dhe ODIHR-it për zgjedhje të drejta, transparente dhe demokratike.