Lëvizja BESA ka vendosur që do t’i mbështesë protestat të cilat po zhvillohen në Shkup, për shkak të vendimit të fundit të Presidentit Gjorge Ivanov për të falur të gjithë politikanët të dyshuar për krime. Këtë vendim Lëvzja BESA e mori në mbledhjen e Kryesisë Qendrore që e zhvilloi sot.

Ja njoftimi i plotë:

“Duke iu referuar edhe konkluzioneve të mëparshme që i ka marrë Kryesia e Lëvizjes BESA, si dhe qëndrimit të SHBA-ve dhe BE-së se nuk janë përmbushur kushtet e nevojshme për zgjedhje të drejta dhe demokratike, por edhe faktit se Kryetari i shtetit tashmë e ka suprimuar punën e Prokurorisë Speciale Publike, madje e ka rrezikuar edhe vetë Marrëveshjen e Përzhinës, Lëvizja BESA ka vendosur që t’i mbështesë të gjitha aktivitetet e shoqërisë civile, që organizohen në drejtim të pengimit të organizimit të zgjedhjeve më 5 qershor dhe që kanë për qëllim rikthimin e demokracisë në vend dhe riparimin e institucioneve tashmë të rrënuara. Për këto arsye, si dhe duke pasur parasysh se ky regjim është dëshmuar edhe si regjimi më antishqiptar, anti-NATO dhe anti-BE dhe i cili e ka kapur keq edhe vullnetin politik të shqiptarëve – duke i kapur partitë shqiptare në pushtet, Lëvizja BESA i mbështet këto protesta, sepse ato janë mënyra e fundit e shpëtimit të këtij vendi dhe e kthimit të demokracisë”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizjeje.