Në mes të takimit Vardar-Shkëndija e cili u zhvillua në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup, tifozët vendas kanë shkaktuar një incident, duke i sulmuar anëtarët e kryesisë së Shkëndijës të cilët ishin të ulur në tribunën VIP. Incidenti ndodhi në minutën e 39-të të takimit, pas golit të barazimit që e shënoi Armend Alimi, i cili gol egërsoi tifozët e Vardarit, të cilët nuk janë përmbajtur dhe kanë sulmuar fizikisht përfaqësuesit e skuadrës tetovare. Në sulmin fizik, disa nga anëtarët e kryesisë së Shkëndijës janë goditur dhe kanë marrë lëndime të lehta trupore, ndërsa janë detyruar ta lëshojnë tribunën nën përcjellje të forcave të sigurisë. Kjo nuk është hera e parë që bëjnë gjeste të tilla tifozët e Vardarit të njohur si “Komitët”, e sidomos kur bëhet fjalë për klube shqiptare, përderisa gjatë 90-të minutave lojë nuk janë ndalur duke fyer dhe ofenduar në baza etnike. Ndërkohë, pritet që Federata e Futbollit e Maqedonisë të reagojë për incidentin.