Pak para fillimit të takimit të LSDM-së me qytetarët e Tetovës, para shtëpisë së kulturës në Tetovë, kanë dalë përfaqësues të Lëvizjes BESA, të cilët, para anëtarëve të LSDM-së, kanë nxjerrë tabelat me emrat shqip të shkollave të Tetovës. BESA këtë hap e ka bërë pas reagimit të degës së LSDM-së në Tetovë, të cilët u shprehen kundër ndryshimit të emrave të shkollave.

Anëtarët e Lëvizjes BESA kanë deklaruar me këtë rast se edhe përkundër reagimit të LSDM-së, BESA do vazhdoj deri në fund këtë nismë, duke mos përjashtuar madje as protestat por dhe tërheqjen nga Këshilli komunal i Tetovës, nëse nuk pranohet propozimi i tyre për ndërrimin e emrave të shkollave të Tetovës.

“Të gjithë emërtimet e shkollave, rrugëve dhe bulevardeve me emra maqedono-sërbo-rus janë venduar me dhunë, jashtë vullnetit të shqiptarëve dhe si të tilla ata sot nuk e përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shumicë të Tetovës. Për aq kohë sa nuk ndryshon ky realitet poshtërues që po tërhiqet zvarrë që nga koha e komunizmit jugosllav, përgjegjëse kryesore është Teuta Arifi dhe BDI si pjesë e pushtetit qendror dhe atij lokal. Në qoftë se ju keni lidhje emocionale me “humanistin” rus Nikolla Shtejn, që nuk ja dini as edhe historinë, apo e identifikoni serbin Mosha Pijade me vlerat e tetovarëve, ky është problemi emocional i juaj si SDSM që lidhet me periudhën ideologjike të komunizmit, dhe jo me vlerat evropiane dhe perëndimore të shqiptarëve në përgjithësi dhe tetovarëve në veçanti”, -deklaroi Besar Durmishi,  zëdhënësi i Lëvizjes BESA.