Meqë për shqiptarët e Maqedonisë është bërë luks të flitet për festivalet kombëtare, për garat sportive ose për aktivitetet kulturore, ne sot jemi këtu që me keqardhje të konstatojmë, ashtu siç shkruante Fan Noli dikur, se shqiptarët janë “pranë ujit, të palarë”. Ndonëse Zoti ka falur ujë me bollëk gjithandej pranë nesh, vendbanimet shqiptare edhe sot – në vitin 2016 – vazhdojnë ta vuajnë mungesën e ujit ose të kenë ujë që nuk mund ta pinë.

Lëvizja BESA ka bërë një hulumtim të vogël në këtë temë dhe konstatimi jonë është ky:

  1. Vendbanimet shqiptare që kanë mungesë të ujësjellësit:
  • Fshatrat Dllapkidoll i Epërm dhe f. Drogomisht i Madh në Komunën e Kërçovës
  • Fshati Llopat në Kumanovë
  • Fshati Luboten në Komunën e Butelit – Shkup
  • Fshati Nigishtan në Gjorçe Petrov – Shkup
  1. Vendbanimet shqiptare që kanë mungesë të vazhdueshme të ujit:
  • Lagjja e Vizbegut dhe disa rrugë të rrethit të Shutkës në Komunën e Shuto Orizarës dhe Butelit në Shkup
  • Fshatrat Tuhin, Sërbicë, Haranjell dhe Zhubrinë në Komunën e Kërçovës
  • Fshatrat Dobroshtë, Tearcë, Sllatinë, Përshevcë dhe Glogjë të Komunës së Tearcës – Tetovë
  • Fshatrat Kamjan, Pirok, Pallçisht, Siniçan, Kallnik, Rakovec të Bogovinës – Tetovë
  • Fshatrat Bukoviq, Llaskarcë, Radushë, Kondovë dhe Arnaqi e Poshtme të Sarajit – Shkup
  • Fshatrat Jabollcë, Çiflig dhe Svetapetkë të Komunës së Sopishtës – Shkup
  • Fshatrat Zhitoshë, Debresh dhe Llazhan të Komunës së Dollnenit
  • Komuna e Dibrës
  • Fshatrat Presille, Nerovë, Alldançe të Komunës së Krushevës
  • Fshatrat Tatesh i Epërm, Tatesh i Poshtëm, Livadhi dhe Novosellë të Strugës
  • Fshati Batincë i Komunës së Studeniçanit
  • Fshatrat Çajlë, Forinë dhe Çegran të Gostivarit
  • Qyteti i Tetovës
  • Fshatrat përreth Tetovës

III. Vendbanimet shqiptare që kanë probleme me cilësinë e ujit të pijshëm:

  • Nga fshati Llojan deri në fshati Nikushtak të Komunës së Likovës
  • Gati të gjitha vendbanimet e Komunës së Zhelinës
  • Fshati Nerasht – Komuna e Tearcës
  • Komuna e Vrapçishtit
  • Fshatrat Cernilishtë dhe Desovë të Komunës së Dollnenit
  • Fshati Rramanli – Kumanovë
  • Komuna e Haraçinës

Përveç kësaj, problem më vete është infrastruktura e vjetruar, në të cilën nuk është bërë asnjë investim që nga koha e ish Jugosllavisë, siç janë vendbanimet e Çairit, të Studeniçanit e shumë të tjera.

Ky është “suksesi” i këtij pushteti, kjo është gjendja në të cilën i ka lënë vendbanimet shqiptare ky pushtet. Në vend që të flasim për produksione filmi e për festival të poezisë, ky pushtet na bëri që ne ende të flasim për ujin dhe të mburremi nëse diku kemi mundësi të pimë ujë – asgjë më shumë se kaq.

Krejt kjo ka ndodhur dhe ndodhë në kohën kur partitë në pushtet, pra çifti VMRO-BDI, për më pak se dhjetë vite kanë shpenzuar gati 1 miliard euro para të qytetarëve për të bërë përmendore të carëve serbë, të pallateve e kafshëve në projektin “Shkupin 2014”.

Të gjendur në këtë situatë, Lëvizja BESA e gjykon si armiqësor këtë pushtet ndaj qytetarëve të tij dhe i fton qytetarët që ta dënojnë atë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Një pushtet që të lë pa ujë, së paku duhet ta lësh pa votë.