Pas lajmit se shefit të protokollit të FSK-së, Gafurr Dugolli, i është zgjatur paraburgimi edhe 30 ditë, Lëvizja BESA gjykon se ky është një rast skandaloz që flet jo vetëm se drejtësia në Maqedoni është selektive dhe antishqiptare, por flet edhe për faktin se zyrtarët e BDI-së, që mendojnë se janë të përfaqësuar në këtë qeveri, le që nuk mund të bëjnë asgjë në mbrojtjen e shqiptarëve, por – aq më keq – vazhdojnë të marrin udhëzime nga Serbia.

Të arrestohet dhe të mbahet në paraburgim një ish ushtar i UÇK-së, sot zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës, flet se Maqedonia akoma merr vendime gjyqësore sipas urdhrave nga Beogradi.

Duke kuptuar rëndësinë e situatës, Lëvizja BESA kërkon nga organet zyrtare të Maqedonisë ta lirojnë sa më shpejt z. Dugolli, sepse në të kundërtën kjo i rrezikon marrëdhëniet e Maqedonisë me Kosovën, ndërsa mund të reflektohet edhe në konflikte të tjera ndëretnike në Maqedoni.

Ndërkaq, Adnan Jasharin, që e luan kaq keq rolin e ministrit të Drejtësisë, mund ta shpëtojë vetëm dorëheqja dhe kërkimfalja që kaq turpshëm i përfaqëson shqiptarët.