Në mozaikun e padrejtësive që u bëhen shqiptarëve në R. e Maqedonisë është pa dyshim edhe Drejtoria e të Ardhurave Publike. Megjithëse është institucion shumë i rëndësishëm për qytetarët e R. Maqedonisë, ai vazhdon me diskriminimet ndaj bizneseve shqiptare, por edhe ndaj qytetarëve të rëndomtë. Siç dihet botërisht, bizneset shqiptare shpeshherë janë pre e kontrolleve dhe zhvatjeve, kjo përmes dënimeve të mëdha që pamundësojnë zhvillimin e veprimtarive afariste. Se ky institucion luan dorën e zgjatur të pushtetit, kur duhet të heshtin zërat kritikë, kjo tashmë dihet mirëfilli dhe për këtë kemi pa fund shembuj, si TV A1, kontrollet kundër duhanpirësve (edhe atë me polici speciale), dënimet dhe bllokimet e llogarive rrjedhëse, problemet me pagesën e taksës radio-difuzive (ku për një familje paguajnë nga 2-3 vetë) etj.
Këtë qasje antishqiptare të tyre e ka ndihmuar edhe fakti se përfaqësimi i shqiptarëve nëpër pozita udhëheqëse në këtë institucion është krejt minimal: në Drejtorinë e Përgjithshme, përveç zëvendësdrejtorit nuk ka shqiptar tjetër në asnjë post udhëheqës, ndërsa në njësinë rajonale të Shkupit ka vetëm ushtrues detyre të zv.drejtorit, por në asnjë pozitë tjetër nuk ka shqiptar. Ndërkaq të punësuarit e rinj shqiptarë, edhe pse të paktë në numër, në këtë institucion nuk e kanë të zgjidhur statusin si nëpunës tatimorë, por me vite të tëra janë nëpunës shtetërorë, gjë që nuk ndodhë me të punësuarit e rinj maqedonas, të cilët menjëherë marrin vendime për nëpunës tatimorë. Kështu pamundësohet avancimi i shqiptarëve në karrierë në këtë institucion. Por, më “mirë” se kaq nuk është as nëpër qytetet e tjera ku popullata është e përzier.
Ndonëse partia shqiptare në pushtet shpesh thotë se shqipja është gjuhë zyrtare, ueb-faqja (www.ujp.gov.mk) e kësaj drejtorie është vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze , ndërsa edhe të gjithë formularët, kërkesat dhe vendimet janë vetëm në gjuhën maqedonase. Përveç kësaj, të gjitha bizneset e kanë për detyrim ta kenë të ngjitur në lokalet e tyre një letër e cila u sugjeron qytetarëve të kërkojnë llogari fiskale, e cila po ashtu është maqedonisht.

©fol.mk