Përveç krizës së thellë politike, në të cilën gjendet, Maqedonia tashmë është bërë një vend edhe me probleme serioze ekonomike dhe financiare për qytetarët, bizneset dhe institucionet. Marrja e vazhdueshme e borxheve nga institucionet e huaja financiare, nga bankat, nga fondet pensionale dhe nga sigurimet brenda vendit, ka ngjallur dyshime se buxheti i Maqedonisë ka probleme të mëdha dhe se shteti arrin të funksionojë vetëm nga borxhet dhe kreditë. Në këtë mënyrë edhe borxhin e ri, që e ka në plan të marrë nga kreditorët e vendit në vlerë prej 59.2 milionë euro, një shumë me të cilën duhet ta paguajë borxhin e vjetër, paraqet një element alarmues të krizës për likuidet, kjo si rezultat i keqmenaxhimit me borxhet dhe investimet.

Nisur nga kjo Departamenti i Ekonomisë pranë Lëvizjes BESA kërkon nga Qeveria e Maqedonisë të jetë transparente në lidhje me kreditë e mara, të mos e fshehë se ku shkojnë të gjitha këto mjete financiare, aq më shumë kur tash çdo muaj merren nga dy ose tri kredi nga bankat e vendit ose institucionet e huaja financiare. Qytetarët kanë të drejtë ta dinë se ku harxhohen këto mjete ose a ka vërtet nevojë Maqedonia për borxhe të reja. Ata duhet ta dinë se në cilat projekte kapitale investohen këto mjete, a ka buxheti krizë që nuk mund t’i mbuloje as rrogat administratës dhe pensionet, ndërsa Qeveria duhet të shpjegojë se kreditë e vjetra po paguhen me borxhe të reja, madje duhet të përgjigjet se mos këto mjete shkojnë në adresa të paqarta?

Duke konsideruar se të gjitha këto borxhe të Qeverisë janë në fakt borxhe që duhet t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset si taksapagues të vendit, Lëvizja BESA pyet se a janë këto hua të investuara në interes të qytetarëve dhe të bizneseve të vendit? Për këtë arsye Lëvizja BESA rithekson nevojën që, përmes një RIDEFINIMI të çështjeve financiare në vend, të ridefinohet edhe mënyra se si bëhet shpërndarja e financave publike në Maqedoni. Në këtë kundërtën, duke lejuar këtë monopol financiar që e kanë krijuar partitë në pushtet, ky shtet rrezikon falimentimin.