Ismail Kadaresë i është dorëzuar dekorimi më i lartë që Franca mund t’i japë; titulli “Komandant i Legjionit të Nderit”. Titulli i është dorëzuar nga presidenti francez, Francois Hollande pasditen e së hënës në pallatin presidencial “Elize”.

Ceremonia është mbajtur me një rreth shumë të ngushtë të ftuarish dhe pjesëmarrës në të ka qenë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Vlerësimi i artit të Kadaresë në atdheun e tij të dytë, ku zhvillon karrierën letrare që prej vitit 1990, është njëkohësisht vlerësim për kulturën dhe gjuhën shqipe, raporton portali “Lexo.al”.

Titulli është shpallur që me fillimin e këtij viti, duke përkuar me muajin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

Sa i përket fushës së letrave, të njëjtin titull me të ka marrë edhe shkrimtari francez Michel Tornier.

Urdhri është krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802 dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme – kalorës, oficer, komandant, oficer i madh dhe Kryq i Madh. Medalja në rastet e civilëve jepet kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencës, politikës, gazetarisë etj.

I konsideruar si një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohore, Ismail Kadare, i përkthyer në 50 gjuhë të botës, është nominuar disa herë me çmimin “Nobel” për letërsi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e konsideroi vlerësimin e shkrimtarit Ismail Kadare si mirënjohje edhe për mbarë popullin shqiptar.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi thotë se me krijimtarinë e tij, Kadare promovoi kulturën, traditën dhe vlerat e popullit shqiptar.

“Me krijimtarinë e tij, Ismail Kadare, si pakkush, promovoi kulturën, traditën dhe vlerat e popullit shqiptar, duke u shndërruar në prijës i orientimit properëndimor. Një pjesë e botës i njohin shqiptarët përmes rrëfimeve gjeniale të Kadaresë. Prandaj, ndarja e urdhrit “Komandant i Legjionit të Nderit” nga presidenti francez, Francois Hollande, është një mirënjohje, jo vetëm për të si krijues, por edhe për mbarë popullin shqiptar”, u shpreh Thaçi