Tashmë një kohë të gjatë shqiptarët vazhdojnë të jenë të diskriminuarit edhe në diplomacinë e shtetit. Kështu aktualisht janë vetëm dy shqiptarë në postin e ambasadorit dhe dy shqiptarë në detyrën e numrit të dytë në ambasada, ndërkohë që Maqedonia vazhdon të përfaqësohet nga 42 ambasadorë maqedonas, mes tyre edhe në Prishtinë dhe Tiranë.

Përveç rënies së numrit të shqiptarëve si përfaqësues diplomatikë, partizimi dhe etnizimi i diplomacisë e pamundëson përfaqësimin e denjë diplomatik të vendit, si dhe artikulimin  e denjë të kërkesave të mërgatës, në veçanti të asaj shqiptare. Në gjithë këtë padrejtësi s’do mend se fajin më të madh e bart partia shqiptare në pushtet, që lejon nëpërkëmbjen dhe diskriminimin e këtillë të shqiptarëve. Vetëm një parti e kapur keq, siç tashmë kemi pasur mundësi të bindemi, mund të lejojë një diskriminim të këtillë.

Përveç këtij fakti, edhe zvarritja e zgjedhjes së ambasadorëve nëpër shtetet të cilat në të njëjtën kohë veprojnë me ambasadat e tyre në Maqedoni, është rrezik për gjysmë-ngrirjen e marrëdhënieve bilaterale.

Nisur nga kjo, Lëvizja Besa e dënon politikën diskriminuese ndaj diplomatëve shqiptarë nga ana e qeverisë VMRO-BDI, të ndihmuar edhe nga institucioni i abuzuar i presidentit të shtetit. Prandaj BESA kërkon që kandidatëve shqiptarë t’u jepet status i ambasadorit dhe jo i ushtruesit të detyrës dhe ambasadorit jorezident, siç ndodhë në shumicën e rasteve.

Me këtë rast Lëvizja BESA rithekson nevojën e ridefinimit edhe të diplomacisë së vendit, që të dihet se çka përfaqësojnë diplomatët – partitë e pushtetit, etninë maqedonase apo qytetarët e Maqedonisë? Ashtu si e kemi theksuar në dokumentet tona themelore, Lëvizja BESA angazhohet për një diplomaci shtetërore dhe profesionale, për përzgjedhje të kandidatëve në bazë të përgatitjes diplomatike, por duke shmangur edhe diskriminimin e tyre në bazë të përkatësisë etnike.