Besimtarët myslimanë sot po festojnë festën e Fitër Bajramit. Me këtë rastë liderët politikë nëpërmjet mesazheve në rrjetet sociale kanë uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.

“Për fat të keq edhe këtë vit muajin e shenjtë të Ramazanit e kaluam të ngarkuar me pandeminë e kovid-19,në një atmosferë jo të zakonshme, të ballafaquar me kufizime të shumta dhe me masa të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit tonë dhe të jetës sonë. Ju faleminderit për qëndrueshmërinë, kujdesin dhe disiplinën. Shpresoj se të pasuruar me fuqinë shpirtërore të cilën e jep Ramazan Bajrami edhe mandej do të mbetemi të përkushtuar, të përgjegjshëm dhe solidarë dhe do të dalim si fitimtarë në luftën me epideminë, fundi i të cilës, falë vaksinimit të filluar, tashmë po duket. “Të mbetemi të bashkuar dhe së bashku të kontribuojmë në mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë pa dallim nga përkatësia e tyre fetare, etnike ose cilado përkatësi, duke ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe prosperitet për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, potencoi shefi i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Për Fitër Bajram Ju dërgoj urime të sinqerta për shëndet të mirë, gëzim dhe paqe, suksese, fitore personale dhe kolektive. Kjo festë e përkushtuar ndaj mirësisë, dashurisë dhe faljes ndahet me të afërmit. Këtë vit na u zvogëlua numri i njerëzve të cilët na rrethojnë, por mund të ndajmë një fjalë të mirë, ndihmë, buzëqeshje dhe besim se jemi më afër tejkalimit të të gjitha sfidave që na i solli pandemia. Ju uroj ditë të bukura festive të përmbushura me momente të lumtura dhe të hareshme me të afërmit dhe të dashurit e Juaj”, thekson kryeparlamentari Talat Xhaferi.

“Në periudhën kur e gjithë bota përballet me vështirësi, edhe këtë vit Muaji i shenjtë i Ramazanit, muaji më i lumtur dhe më fisnik për ju qytetarët e besimit islam, e festojmë në kushte më ndryshe me kufizime të cilat i solli pandemia e koronavirusit Kovid-19. Fundi i agjërimit dhe përfitimet e fituara gjatë muajit të përmbajtjes, le t’u zbukurojnë me frymë të durimit dhe bujarisë. Të përballemi me sfidat, të cilat i sjell kjo krizë globale shëndetësore-ekonomike, të udhëhequra nga dëshira për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe solidaritet”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin duke ju dëshiruar fillimisht shëndet dhe mbarësi në familjet e juaja.

Muaji i shenjt i Ramazanit dhe Fitër Bajrami na përkujtojnë dhe na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore mbi të cilat reflektojmë me gjithë qenien tonë përgjatë gjithë muajit të agjërimit.

Uroj agjerim të pranuar dhe festë të mbarë e të begatë.

Qofshim më të mirë për veten, për njëri tjetrin dhe për gjithë shoqërinë tonë”, shkruan Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.