VMRO-DPMNE ka ripërsëritur qëndrimin e saj lidhur me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke e arsyetuar qëndrimin e presidentit Gjorge Ivanov për mosdekretimin e tij. Nga kjo parti kundërshtojnë shpalljen e ligjit në gazetën zyrtare, duke vlerësuar se çfardo shpallje në gazetën zyrtare pa nënshkrimin e presidentit zbatimi i mëtejmë do të jetë jolegal.

“Pa nënshkrimin e dekretit për hyrje në fuqi të ligjit për gjuhë nga ana e presidentit. Çfardo shpallje në gazetën zyrtare dhe zbatimin e mëtejmë të tij do të jetë jolegal. Çdo përpjekje që të kapërcehet presidenti i shtetit z.Gjorge Ivanov do të jetë jolegal. Kjo do të thotë se vendimi jolegal i kuvendit që e mriatuan me forcë më 14 mars nuk është ligj deri sa nuk e nënshkruan dekretin presidenti i shtetit dhe gjithnjë mbi bazën e dekretit nuk shpallet në gazetën zyrtare” – tha Darko Kostovski nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM mbajnë qëndrim se ai që bie ndesh me Kushtetutën, është presidenti Ivanov i cili pas votimit të dytë në kuvend është i detyruar ta nënshkruaj ligjin. Qëndrim të ngjashëm kanë edhe BDI dhe partit tjera shqiptare. Ndërsa në prononcimet e tij kryeparlamentari Talat Xhaferi ka lënë të kuptohet se nëse presidenti nuk e nënshkruan ligjin, ai do të mund ta dërgojë për publikim në gazetën zyrtare me nënshkrimin e tij, pasi raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën.

Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Kuvendi e miratoi me 64, në lexim të tretë. Për të penguar miratimin e Ligjit, VMRO DPMNE parashtroi 35 569 amendamente.

Ligji obligon të gjitha institucionet që brenda një viti nga dita e miratimit të tij dhe shpalljes në gazetën zyrtare që të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, ndërsa në afat prej gjashtë muaj të gjitha mbishkrimet dhe vulat e institucioneve duhet të shënohen edhe në gjuhën shqipe.

Konform ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe do të përdoret në komunikim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve që përbëjnë aparatin shtetëror. Ligji parasheh edhe themelimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhës që e flasin sëpaku 20% e qytetarëve të RM-së.