Opozita kërkon që propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve të kthehet që nga fillimi në procedurë parlamentare. Partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, duke u bazuar në shkeljet, që sipas tyre i kanë bërë propozuesit e ligjit si dhe në deklaratat e komisarit Johannes Hahn, pretendon se ligji duhet të sillet me procedurë të rregullt dhe duke i paraprirë një debat me ekspertë. Sipas deputetit Dragan Danev, propozimi duhet sillet përmes Komisionit për sistem politik.

Opozita VMRO-DPMNE edhe si pushtet edhe si opozitë tani, gjithnjë ka qenë konstruktive dhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Por kur nga ne kërkohet të jemi konstruktiv pranë gjitha këtyre shkeljeve të Rregullores, të procedurave por edhe të Kushtetutës së vendit, atëherë një konstruktivitet të tillë nga ne si VMRO-DPMNE, por edhe nga unë si deputet dhe qytetarë është shumë që të pritet – dekalroi Dragan Danev, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Por shumica hedh poshtë akuzat e opozitës. Sipas tyre, ligji nuk keqpërdor flamurin Evropian duke shtuar se deklarata e Han i referohet prioriteteve aktuale. Sipas deputet Artan Grubi, ligji për shqipen është prioritet i kamotshëm.

Po, për arsye të afateve shumë të cunguara kohore dhe për arsyet të nevojës për të pasur 2/3 e votave në Kuvend për t’i kaluar të gjitha këto ligje prioritare të cilat nuk presin dot dhe duhet miratuar deri në dhjetor – tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Ditë më parë Alsat M mësoi se Komisioni për Çështje Evropiane, pas deklaratës së komisarit Hahn ka pezulluar seancën për leximin e amendamenteve. Burime brenda shumicës parlamentare bëjnë të ditur se komisioni do të thirret vetëm pas kalimit të prioriteteve të theksuara nga Han e që janë ndryshimet në ligjin për dëshmitarët, anulimi i ligjit për verifikimin e fakteve zgjedhja e gjykatësve Kushtetues dhe zgjedhja e kryeprokurorit Publik. Për propozim-ligjin për gjuhët, VMRO-DPMNE-ja ka propozuar 83 amendamente, LSDM 4 dhe Lëvizja Besa 2 amendamente. Datë konkrete për thirrjen e komisionit amë për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve akoma nuk është caktuar.