VMRO-DPMNE thotë se grupimi i 36 mijë amendamenteve kundër ligjit për gjuhët, mund ta shkurtojë procedurën, mirëpo sipas tyre, përsëri do duheshin më shumë se 5 muaj deri në shterjen e plotë të debatit. Nga kjo parti opozitare mohojnë të ketë ndonjë marrëveshje politike me pushtetin për tërheqjen eventuale të amendamenteve.

Burime nga brenda partisë opozitare maqedonase thonë se në rast se nuk pranohet asnjë amendament dhe ligji miratohet kështu siç është, do ngritin iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të vërtetuar kushtetutshmërinë e propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Opozita maqedonase mbanë qëndrim se zbatimi i ligjit për gjuhët në praktikë do të shkaktonte kaos institucional. Por ndryshe mendon koalicioni qeverisës të cilët insistojnë në kushtetutshmërinë e ligjit.

Nga Kuvendi sot nuk pranuan të japin përgjigje se deri ku ka arritur kontrollimi dhe grupimi i amendamenteve. Megjithatë, në kumtesën e djeshme thuhet se kur shërbimet e Kuvendit do mbarojnë me këto procedura, do thërritet seancë plenare dhe se për këtë do njoftohet opinioni përmes ueb-faqes së Parlamentit. /Alsat M/