Limaj: Ftesa e Speciales për Veselin është e padrejtë, do ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale për Kadri Veselin është e padrejtë.

Limaj ka shkruar në profilin e tij në Facebook se Kadri Veseli do ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së, transmeton Telegrafi.

“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale për bashkëluftëtarin tonë, Kadri Veseli, është e padrejtë dhe nga një gjykatë e padrejtë, ashtu sikur që janë të padrejta ftesat për drejtues dhe luftëtarë tjerë të UÇK-së. Drejtuesit e UÇK -së, ashtu siç kanë ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Kadri Veseli do dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së”, ka shkruar ai.

Limaj ka thënë se alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës. Ai ka thënë se është i bindur se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve.

Ndryshe, Veseli do të intervistohet nga Dhomat e Specializuara më 4 dhjetor në Hagë. Kështu ka bërë të ditur vetë Veseli përmes një konference për media.

“Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike. Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë”, ka thënë sot Veseli.

SHPËRNDAJE