Liverpooli ka fituar pa shumë vështirësi ndaj Crystal Palace me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në Ligën Premier.

Ekipi i Jurgen Klopp ka vazhduar serinë pozitive duke marrë edhe fitoren e katërt nga pesë ndeshjet e para në kampionat, teksa ka edhe një barazim.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, por edhe përkundër rasteve të shumta, vetëm një herë arritën të shënojnë.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 43-të dhe ishte Sadio Mane, i cili nga afërsia shënoi për 1-0.

Edhe pjesa e dytë pati pamje të njëjtë, me Liverpoolin skuadër më të mirë, më kërkuese, me më shumë raste dhe dy gola të shënuar.
Në këtë pjesë goli i parë u shënuan nga Mohamed Salah (78’), i cili shënoi për 2-0, ndërsa Naby Keita (90′) shënoi supergol për rezultatin përfundimtar 3-0.

Pas kësaj fitore, Reds e shohin veten në pozitën e parë me 13 pikë, ndërsa Crystal Palace zë vendin e 13-të me pesë pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Liverpooli luan në udhëtim te Brentfordi, ndërsa Palace e pret Brightonin.