Ministri i arsimit dhe shkencës, Abdilaqim Ademi sot sërish banorëve të fshatit Labunisht të Strugës iu premtoi sallë sporti e cila për këto banorë u bë histori pasi në vitin 2011 të njëjtat premtime u kurorëzuan vetëm me hedhjen e themeleve të sallës. Ministri paralajmëroi se ndërtimi i sallës do të fillojë për disa ditë. Banorët e Labunishtit thonë se në të njëjtin vend tre herë është hedhë themeli edhe atë gjithmonë para zgjedhjeve. Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së që në vitin 2013 premtoi sallë sporti në këtë fshat. Tani mbetet ti lihet kohës nëse salla do të bëhet realitet ose jo. 

Por, banorët e Llabunishtit janë skeptik ndaj të gjitha premtimeve që bëhen.

“Nuk e di sa kohë po na premtojnë. Të them se do të bëhet, nuk mund të them. Nuk besoj, sa vite që është gërryer dhe është lënë ashtu. Pushteti asgjë nuk ka bërë për Llabunishtin deri tani. Asgjë”.

“Salla e sportit është vetëm premtim, ndërsa me vite të tëra nuk është bërë asgjë. Ka paralajmërime se do bëhet diçka, por thjeshtë nuk besoj”.

“Qytetarët tashmë nuk besojnë në ndërtimin e sallës, pasi disa herë ministrat e BDI-së kanë qenë këtu dhe kanë hedh themelet. Ne vlerësojmë se edhe kjo është fushatë parazgjedhore”, tha Alija Tasimi, kryetar i Bashkësisë Lokale.

Ndryshe, ministri Ademi sot në Llabunishtë e promovoi projektin për ndërrimin e dritareve të vjetra në shkollën “Murat Llabunishti”. Ai gjithashtu paralajmëroi edhe vendosjen e ngrohjes qendrore për shkollën fillore në Ladorishtë.