Vazhdon mos gjejë zgjidhje problemi i ujit të pijshëm në Tetovë. Mediat raportojnë që gypi i shpërthyer në Kodrën e Diellit vazhdon të jetë i zbuluar dhe i pa siguruar institucionalisht nga institucionet kompetente, të cilat hedhin fajin njëra tjetrës për përgjegjësi. Ka reaguar LR-PDSH – Dega në Tetovë për helmimin që ju bëhet tetovarëve duke e quajtur, sipas tyre: terorizëm institucional që ushtrohet ndaj Tetovës dhe tetovarëve. Komuna në heshtje!

Në vazhdim lexoni komunikatën e plotë të LR-PDSH-së:

“Tetova vazhdon betejën për ujin e pijshëm! Uji është bërë një sfidë e madhe për qytetin, sa dhe komuna e Tetovës po ndodhet përballë kësaj sfidë kaq të rëndësishme për jetën e njeriut, dhe që ende nuk arrin të asistojë për ta kthyer situatën e ujit në normalitet për banorët. Si pasojë e pakujdesisë së ELEM-it, është dëmtuar tubi kryesor që furnizon ujësjellësin e qytetit, me këtë për një kohë të gjatë është ndotur rezervoari i ujit, duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve të Tetovës. Sikur të ishin ndjekur procedurat e sigurisë dhe dhënies së lejes, nuk do të kishte ardhur gjendja deri në këtë masë, sa që të kemi “helmim” masiv të tetovarëve. Pavarësisht që opinion nuk e ka të qartë ku qëndron saktësisht faji, Komuna e Tetovës, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” apo ELEM, të gjithë ju së shpejti do të viheni përpara përgjegjësisë për shkak të mos-zbatimit të procedurave të zhvillimit të punimeve në lokacion të ndijshëm, në të cilin kalon tubacioni kryesor i furnizimit me ujë të pijshëm”.

“Lëvizja për Reforma – PDSH reagon ndaj veprimeve të tilla të papërgjegjshme të NPK “Tetova” dhe ELEM-it, si dhe mos marjes së masave të nevojshme nga ana e autoriteteve të Komunës së Tetovës. Zbulimi i gypit kryesor dhe lënia nën qiell të hapur dhe pa mbrojtje adekuate, është karakteristikë dhe e ngjashme me terrorizëm institucional që ushtrohet ndaj banorëve të Tetovës”.

“Etjen për ujë të pijshëm të kësaj popullate nuk e shuajnë dot improvizimet politike dhe mashtrimet praktike nën mjegullën kulturore apo hijen e çadrave për “etje artistike”. – përfundon reagimi i LR-PDSH – Dega e Tetovës.