Lëvizja për Reforma në PDSH-së vlerëson se, gjatë përpilimit të buxhetit qëndror, është bërë normale që shqiptarët të mos përfitojnë asgjë sa i përket mjeteve të destinuara për investime kapitale. 
 Nga gjithësej 450 milion euro mjete të parapara për investime në infrastrukturë, në vitin 2016, koalicioni qeverisës VMRO-BDI për shqiptarët i ndau jo 115 milion euro, aq sa u takon shqiptarëve, por vetëm 8.5 milion euro. Kjo shumë e cila është e pamjaftueshme për të kryer qoftë edhe një projekt, me rebalansin e parë të propozuar nga Qeveria VMRO-BDI, do të përgjysmohet në 4.5 milion euro. 
 
Me këtë mënyrë dinakërore të ndarjes së mjeteve dhe pastaj tërheqjes së tyre, qeveria VMRO-BDI, objektin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës nuk do të mund të ndërtojë as në 50 vitet e ardhëshme. E njëjta vlen edhe për Teatrin e Shkupit dhe Sheshin Skenderbeu, që ngjashëm si dy projektet e sipërpërmendura, ka 8 vite që parashihet ndërtimi i tyre, por asesi nuk ndodh ajo.
 
Këtij modelit të qeverisjes së praktikuar nga koalicioni qeverisës “mashtro, vjidh dhe mos realizo”, i ka ardhur fundi. Shqiptarët në zgjedhjet e ardhëshme do të dënojnë keqas  kleptomanët që vjedhin dhe dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas thuhet në reagimin e LR-PDSH-së
 
Zyra për Informim – LR-PDSH
27.06.2016