Zbrapsja e Ivanovit nga qëndrimet e tij “të ngurta” për faljen e politikanëve të inkriminuar në krim, korrupsion dhe abuzim me detyrën zyrtare, dhe arsyetimi se e bën për të mirën e shtetit ishin lajthitjet e paprecedentë të një personi që është i padenjë të mbajë një funksionin kaq të rëndësishëm shtetëror, si ai i Presidentit.

Prandaj, duke vlerësuar se ishte gabim vendimi për të falur politikanë që kanë bërë shkelje të rënda ligjore dhe duhet të përballen me drejtësinë, veprim i cili akoma më shumë ka zhytur vendin në krizë politike, që rezultoi edhe me vonesa dhe shkelje të afateve të parapara të zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës, konsiderojmë se zgjidhja më e mirë është dorëheqja e Presidentit Ivanov. Vendit i duhet një President i ri, që do të jetë e kundërta e tij. Një President të cilit nuk do t’i mungojë dinjiteti, gjykimi i shëndoshë dhe pjekuria politike, cilësi këto, inekzistente tek Ivanov.

Lëvizja për Reforma – PDSH