Kryetari i degës së Lëvizjes për Reforma – PDSH  në Tetovë  Arif Selami nëpërmjet  një konference për shtyp të mbajtur  sot në selinë e kësaj partie ka adresuar krtitika të ashpra ndaj  BDI-së dhe kryetares së Komunës znj. Teuta Arifi për  “mashtrimin e madh” siç theksojnë ata që u bëjnë tetovarëve.

Ja edhe teksti integral i konferencës për shtyp të LR- PDSH-së

Lëvizja për Reforma PDSH – dega në Tetovë shpreh shqetësimin për mungesën e investimeve kapitale në Tetovë dhe mashtrimet konstante që i bëhen tetovarëve nga BDI. Përfaqësimi i dobët politik i BDI-së, inkriminimi në krim dhe korrupsion dhe aferat e ndryshme, sollën Tetovën dhe tetovarët në një situatë ku gjithçka që është vjetëruar, nuk është rinovuar dhe rindërtuar. Në Tetovë mungon uji i pijshëm, mungon infrastruktura, mungon ajri i pastër, mungojnë shkollat, Teatri, Biblioteka, Kinemaja, Parqet e gjelbërta, rrugët etj. Vërtet qytetarët tashmë gjoja janë bindur me parullën e dikurshme parazgjedhore, se Tetova ka etje për qytet! Përgjithësisht, Tetova ka etje për ndryshim!

Sot, konkretisht do të zbardhim mashtrimin që ju bëhen qytetarëve të Tetovës me Teatrin e Qytetit.

– Tetovës i premtohet investim prej 13 milion euro për Teatrin e Qytetit, ndërkohë që Teatri i vjetër, që është gjysëm i rënuar ballafaqohet me çkyçje nga rryma për shkak të mos pagesës!

– Gurthemeli i këtij objekti kapital u vendos 2 vite më parë, në prag të zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2014, prej atëherë asgjë nuk është bërë. Punimet u rifilluan në vitin 2016 sërish në prag të zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare!

– Mashtrimi më i madh bëhet me ndryshimet e shpeshta të Projektit. U paralajmërua që Teatri i Tetovës do të ketë Parking nëntokësor dy katësh dhe objekt tre katëshe mbi sipërfaqen tokësore. Me ribalancin e buxhetit ndryshoi projekti, objekti i Teatrit do të ngele pa dy katet e parkingut nëntokësor, ndërsa edhe objektit mbi sipërfaqen tokësore do t’i shkurtohet një kat.

Kërkojmë përgjigje publike nga BDI: Deri kur do të bëhet politikë në kurriz të Kulturës shqiptare? Deri kur do të mashtroni për të njëjtat projekte të dështuara? A nuk është turp që Teatrin e mirëfilltë ta zëvendësoni me Teatër rrugor mesjetar?

©fol.mk