lsdmSipas burimeve partiake, kryesia e LSDM-së rekomandon që mos të lëshohet Qeveria, por të mundohen që në ditët e mbetura deri në shpërbërjen e parlamentit (24 shkurt) që brenda institucioneve të ndryshojnë datën e zgjedhjeve, mëson TV21 nga burime partiake.

Lideri i partisë, Zoran Zaev në tavolinë para këshillit qendror ka paraqitur dy opsione. Opsioni i parë është lëshimi i Qeverisë dhe insistimi që data e zgjedhjeve të përcaktohet pas pastrimit të listës dhe pasi të vendoset për ligjin e ri për media, kurse opsioni i dytë, ministrat e LSDM-së të mbeten pjesë e Qeverisë dhe të luftojnë për ndërrimin e datës së zgjedhjeve.

Propozimi i dytë përkrahet nga kryesia e partisë. Burime partiake kanë thënë për TV 21 se  nëse partia lëshon qeverinë, do të pengohet edhe puna e Prokurores Speciale Publike, dhe kjo është edhe një nga arsyet se përse kryesia e LSDM-së përkrah vendimin për të qëndruar në Qeveri.

Siç mëson Tv 21, nga kjo parti përsërisin qëndrimin se nuk do të shkojnë në zgjedhje pa listë të pastër zgjedhore dhe pa ligj për media. Ata thonë se imperativ për LSDM-në janë zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike, ndërsa jo data e zgjedhjeve.