Fatos Lubonja mbrëmë gjatë një interviste në rubrikën “Opinion” në televizionin “Ora News”, ka rrëfyer se çfarë di ai për situatën e shumëpërfolur, mes Edi Ramës pas votimit të Reformës në Drejtësi.

I pyetur për deklaratat e kreut të LSI-së nga Korça për çështjen e hashashit, Lubonja tha se marëdhëniet mes dy bashkëkryetarëve të aleancës qeverisëse nuk janë të mira dhe se çarja përfundimtare mes tyre ka ndodhur menjëherë pas reformës kur Ilir Meta tentoi të krijojë një qeveri pa Ramën. Ky dështim i kreut të LSI-së, erdhi pasi Edi Rama arriti të blejë shumë deputet mes të cilëve edhe pjesëtarë të grupit parlamentar të LSI-së.

“Kur shikojmë këtë koalicion, i njohim dritëhijet e tij. Ka shumë zëra që tregojnë se Meta ka dashur të dalë nga ky koalicion dhe të ndërtojë një qeveri teknike. Por mazhoranca ja bleu aq deputetë sa ju deshën, bleu dhe partinë e Idrizit”, deklaroi me bindje Lubonja.

Sipas Lubonjës, konflikti mes Metës e Ramës vazhdon  ende  dhe këtë e tregon edhe deklarata e Metës në Korçë për situatën e rëndë përsa i përket kultivimit të kanabisit.

“Meta pati një tërheqje në këtë drejtim, por mbetet konflikti. Sa do përpiqet Rama a Tahiri ta mbulojnë diellin me shoshë, nuk munden dhe Metës i duhet të tërhiqet nga kjo të thotë që s’ka lidhje sepse s’i dihet si shkojnë gjërat nesër. I duhet të bëjë një distancim nga kjo pjesë”, tha Lubonja.