Më 21 shtator bëhen 18 vjet që nga vrasja e ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.

Vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit, përbën një nga vrasjet më enigmatike të kohës së luftës. Ish ushtaraku Fuad Ramiqi, ka folur gjatë një interviste rreth vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, dhe ndalesës që agjentët e Ish Shërbimit Informativ shqiptar, ia kishin bërë pak para se të arrinin në Kukës.

SHISH-i dhe SHIK, i Kosovës, janë përmendur gjithmonë si fajtorët kryesore për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit. Madje, njerëzit e afërt të kolonelit vazhdimisht kanë folur për mënyrën se si ai trajtohej kur shkonte në Shqipëri.

Në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë edhe u vra kolonel Ahmet Krasniqi, në vitin 1997.

Kjo vrasje si edhe shumë të tjera të personaliteteve të njohura të LDK-së nuk janë zbuluar ende.

Skender Zogaj, i cili është një nga bashkëpunëtorët e hershëm të kolonel Ahmet Krasniqit, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Kolonel Ahmet Krasniqi, është vrarë për ta penguar bashkimin e forcave luftarake profesionale dhe institucionale të Kosovës.

“Koloneli Ahmet Krasniqi është vrarë për ta penguar bashkimin e të gjitha forcave luftarake dhe zhvillimin e mbarë të luftës çlirimtare në organizimin institucional të Republikës së Kosovës, që Ministri i Krasniqi me përgatitje të larta profesionale e me përvojën e fortë luftarake, e shpreh duke strukturuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, (FARK), që ishte një forcë e mirëfilltë ushtarake dhe si e tillë, po i nxirrte nga loja bashibozukët dhe grupet e mafioze që luftës iu kishin rrekur për qëllime përfitimesh materiale”, ka deklaruar Zogaj.

Zogaj,  bënë përgjegjës pasardhësit e Diktatorit Enver Hoxha për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqi.

“Grupet ilegale kriminale dhe mbeturinat e kuqe ideologjike marksiste-leniniste kosovare ishin krimba të shkëlqyer për sigurimcat e Enver Hoxhës, të cilët iu rrekën gjuetisë dhe, rezultat i tyre është edhe vrasja e Kolonelit Ahmet Krasniqi, ministrit të luftës, dhe krye strategut luftarak, sipas planeve të të cilit janë zhvilluar aksionet më kryesore luftarake nga Kosharja e deri në Loxhe, Pashtrik, etj”, ka thënë ai.

Zogaj ka theksuar se bashkëpunëtoret e afërt të Ahmet Krasniqit do të duhet të fillojnë të guxojnë të flasin dhe të tregojnë se, Ahmet Krasniqi ishte Dudajevi shqiptar, më i përgatituri ushtarak që mund ta ndalonte Serbinë.

“Prandaj, këlyshët e Serbisë, ndër ta edhe langonjtë shqiptar të SHISH-it dhe të shërbimeve sekrete antishqiptare, për ta ndaluar e kishin vetëm një mundësi, që ta vrisnin. Dhe, u vra, natën, ashtu siç vrasin të mjerët”, ka thënë ai.

Sipas Skender Zogajt, dosjet nuk mund të hapen sepse, zbardhja e vrasjeve, do të nxirrte në shesh fytyrat e zeza të kriminelëve, që e kanë vra Kolonelin dhe shumë djemtë të tjerë të zgjedhur të atdhetarisë së vërtetë.

“Fuad Ramiqi ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Kolonelit dhe, siç e ka dëshmuar, Ahmet Krasniqi është ndjekur dhe ndaluar disa here, edhe është çarmatosur, ndërkohë që, disa kone kosovare rreth Kudusi Lames, Fatos Klosit, Sabit Brokajt etj. endeshin me patllake dhe kidnaponin njerëz nga porti i Durrësit e deri në Kukës dhe, grumbullonin harraqe për vete dhe për padronët e tyre. Këta njerëz janë ende të fuqishëm dhe aktivë në Kosovë e enë Shqipëri, kështu që, dosjet nuk mund të hapen sepse, zbardhja e vrasjeve, do të nxirrte në shesh fytyrat e zeza të kriminelëve, që e kanë vra Kolonelin dhe shumë djemtë të tjerë të zgjedhur të atdhetarisë së vërtetë. Por, zbardhja ka me ndodh, sepse Ahmet Krasniqi është heroi i dashur i shqiptareve dhe i kujtesës së tyre të përjetshme historike, bashkë me Presidentin Ibrahim Rugova dhe heroin legjendar Adem Jashari”, ka thënë ai.

Kurse, sipas njohësit të çështjeve të inteligjencës Fadil Kajtazi, nuk ka dyshim se struktura të shtetit shqiptar të vitit 1997 janë të përfshira në vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi.

“Dhe pyetja normale që duhet të shtrohet në këtë rast është: Pse këto struktura i bën diversion Kosovës në ditët më kritike? Përgjegjja në këtë pyetje komplekse natyrisht se është e thjesht nëse ipet nga këndëvështrimi i gjendjes dhe kohes. Dhe kjo përgjegjje është se: vrasja ishte sajuar nga agjentura influente serbe, e cila kishte për detyrë të sabotonte ngritjen profesionale të Ushtrisë së Kosovës. Dhe vrasja e një profesionisti në kulmin e luftës dhe vendosja në krye të ushtrisë të dikujt që nuk është profesionist, apo nuk është adekuat, dëshmohet historikisht nga e kaluara e historisë së luftrave të popujve të ndryshem”, ka thënë Kajtazi.

Por, sipas tij,  rënia në këtë grackë të shtetit shqiptar, është diçka që nuk justifikohet dhe që perspektives  së Kosovës i ka venitë ardhmërinë politike.

“Sikur shteti shqiptar të mos “binte” ne këtë grackë të sajuar nga agjentura influente serbe, dhe ta mbronte kolonel Ahmet Krasniqin dhe shtetin ekzistues të Kosovës, ngjarjet do të rridhnin ndryshe; serbët do të përgjakeshin në front, nuk do ta kalonin luftën vetëm me 490 të vrare; nuk do të kishte gjykatë të Hagës për UÇK; nuk do të kishte Plan të Atisarit; Kosova do të kishte ushtri të rregullt; etj etj… Dhe Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi në asnjë variantë nuk do të akuzohej për përfshirje në vrasje politike të shqiptarëve, për dëmtim të buxhetit të Kosovës për 30 milion euro dhe për transaksione të pa ligjshme me persona të nacionalitetit serb të dyshuar si pjestar të shërbimeve serbe. Aferim shtetit tonë të dashur Amë!”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas analistit Gazmend Islami, për të zbardhur vrasjen e Ahmet Krasniqit, duhet që institucionet e vendit, gjegjësisht, Kryeministria në mënyrë institucionale të kërkoj nga shteti shqiptar që të jepen dosjet e asaj nate.

“Pra, sepse me vrasjen e Ahmet Krasniqit kanë marr pjesë SHIK-u, SHISH-i e gjithashtu të implikuar kanë qenë edhe Qeveria në ekzil e Bujar Bukoshit. Ahmet Krasniqi ishte një forcë unifikuese i cili donte t`i bashkonte fuqitë ushtarake në Kosovë, pra shihej si një kërcënim për Qeverinë e Bukoshit, Mendoj që vrasjen e ka kryer shteti shqiptar dhe besoj se këtu nuk kemi as çka dyshojmë. Shteti i Kosovës duhet që në mënyrë institucionale,  Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj nga shteti shqiptar të gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët që kanë qenë aty, dhe ata që kanë kërkuar armatosjen e truprojave të tij. Prandaj shihet se në vrasjet e tyre janë të implikuara dy qeveritë. Qeveria, Qeveria në ekzil e Kosovës dhe Qeveria e Tiranës, pra SHISH. Është mëkat që të mos zbardhet kjo vrasje”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas analistit Faik Krasniqi, tash që kemi edhe dëshmitarë siç është z. Fuad Ramiqi, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit mund të ndriçohet fare lehtë.

“Jo vetëm vrasja e tij por të zbardhen të gjitha vrasjet e para dhe pasluftës me motive politike. Me këto çështje duhet të merren organet e drejtësisë të Kosovës. Në të kundërtën duhet t’i bëjnë kërkesë Gjykatës Speciale që ajo të merret me vrasjet për motive politike, sepse ajo Gjykatë është themeluar eksluzivisht për krime të supozuara të luftës, dhe gabohet dikush nëse mendon që ajo do t’i trajtoj edhe vrasjet politike dhe krimet ekonomike, por duhet bërë një kërkesë nga organet e drejtësisë së Kosovës kësaj Gjykate, meqë prokurorët dhe gjykatësit tanë nga frika ose shumica prej tyre janë pjesë e këtij klani dhe nuk po guxojnë të zbulojnë asnjë rast që janë të implikuar shefat e tyre”, ka thënë ai.

Kolonel Ahmet Krasniqi, u vra më 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate.