I pyetur nëse në të kaluarën ka bashkëpunuar me Ali Ahmetin çështjen shqiptare, Bardhyl Mahmuti tha se me Ali Ahmetin njihet që në periudhën e LPK-së në vitet e 80-ta.

“Me Ali Ahmetin njihemi gati 30 vjetë. U takuam në nëntor të 1998 dhe që atëherë kemi pas një komunikim të vazhdueshëm. Në 1989 kemi qenë bashkë në mërgim”, deklaroi Bardhyl Mahmuti.

Sipas tij, Ali Ahmeti u tregua shumë i dobët në skenën politike.

“Me pas qenë në vend të Aliut, askush nga politikanët maqedonas nuk do të kishte pas guximin të luante kështu me shqiptarët, e sidomos Gruevski”, tha Mahmuti.

Ai tha se është e dhimbshme që 15 vjetë pas luftës, shqiptarët janë populi më i varfër, më i shtypur më i diskriminuar në Evropë. Ndërkohë që vrasjet misterioze të shqiptarëve ndodhën pas luftës ndërsa burgjet u mbushën me ish ushtarë të UÇK-së.

Ai edhe një herë u shpreh pesimist sa i përket daljes nga kriza politike. Sipas tij, nuk shihet një dalje nga kjo situatë. Partitë ende mirren me pastrimin e listës zgjedhore, gjë që nuk është e besueshme pa një mbikqyrje ndërkombëtare. /SHENJA/