Protesta madhështore e zhvilluar dje nga opozita e bashkuar e Republikës së Kosovës, pikërisht në ditën e 8 vjetorit të pavarësisë së shtetit, përveç madhështisë në numër dhe nivelin e organizuar, ka pasur edhe moment jo të mira, por të mbetura nën hije.

Bëhet fjalë për disa arrestime dhe ndalesa në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar disa emra të aktivistëve të arrestuar nga siç thonë ata, regjimi Mustafa-Thaçi.

Njëri nga këta të arrestuar, është Gent Amzai nga Struga, student i Filozofisë në Tiranë. Genti ishte nisur bashkë me një grup shokësh nga Tirana për të mbështetur protestën e opozitës në Kosovë, ashtu siç kishin bërë dhe herë të tjera. Por në pikën kufitare që lidh Kosovën me Shqipërinë, autobusi i tyre është ndaluar dhe është këthyer mbrapsht, ndërsa tre persona janë ndalur, dy prej të cilëve iu është bërë ndalesë shkeljeje në Kosovë, ndërsa Gent Amzai është shoqëruar në stacionin policor në Prizren, njofton portali Fol.mk.

“ Gent Amzain e kanë arrestuar dhe kanë njoftuar se do ta çojnë në paraburgim në Prizren. Gent Amzai, nga Struga, është student i filozofisë në Tiranë”- thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gent Amzai kishte tentuar që të marrë pjesë edhe në protestën e 9 Janarit, mirëpo atëherë ishte ndaluar nga policia madje ka pasur një incident, ku ai ka marrë lëndime të lehta në fytyrë nga ana e policisë.

Portali Fol.mk, ka arritur që të kontaktojë me vëllain e Gentit, Roland Amzai, i cili për momentin po qëndron në Prizren dhe po ndjek nga afër rrjedhën e gjithë procedurës. Amzai sqaron se sot pasdite rreth orës 17, Genti është nxjerrë para gjykatës, ku i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai sqaron se kjo masë i është shqiptuar si rrjedhojë e ndalesës së 9 Janarit dhe theksoi se vwllai i tij po endet dyerve të policies dhe gjykatës pa bërë faj. Faj i vetëm i tij ka qënë dëshira e madhe për të marrë pjesë në protestë, gjithmonë në funksion të avancimit të idesë shqiptare. Sipas tij është qesharake të dënohesh sepse të rreh polici dhe ky i fundit vret gishtin pasi të godet. Absurd më vete sipas Amzait është edhe orari i caktimit të seancës gjyqësore për më 5 pasdite.

“Masa e Gjykatës është e rëndë dhe qesharake njëkohësisht. Genti po akuzohet se më 9 Janar kur polici ka goditur Gentin, gjuajtësi apo polici paska vrarë gishtin, ndërsa proceduralisht shprehet me akuzën ‘sulm ndaj personit zyrtar’. Është traumë në nivel shoqëror dhe familjar. Genti është gjenerata e dytë e studentëve, që aktivizohet në Kosovë në funksion të idesë shqiptare. Ai nuk ka sulmuar njeri, thjeshtë si student ka dashur të marrë pjesë në protest”- shprehet Roland Amzai, vëllai i të arrestuarit për fol.mk.

Amzai sqaron se për rastin e vëllait të tij ka njoftuar edhe Ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë të cilët nuk kanë ditur gjë dhe i kanë thënë se do ta kontaktojnë në telefon. Në ndihmë të tij dhe familjarëve kanë ardhur aktivistë të Vetëvendosjes nga Prizreni, të cilët i kanë udhëzuar dhe iu kanë ndejtur pranë.