Zbatimi i zgjidhjeve teknologjike në Republikën e Maqedonisë për trajtimin e mbeturinave me ç’rast si rezultat fitohet energjia ishte në fokus të panel diskutimit me temë “Nga mbeturinat deri te energjia – sfida dhe mundësi” që sot u mbajt në Shkup në kuadër të Javës Evropiane për zvogëlimin e mbeturinave, përcjell Fol.

Në debatin në organizim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Shoqatës së qytetarëve “Gou Grin” me përvojat e tyre u prezentuan INA Energo Sistem Shkup, partner i Maqedonisë i konzorciumit italian “Eko Enerxhi”, kompania Vezë Sharri dhe Leker dhe Çimentorja Usje SHA Shkup si shembuj të mirë për shfrytëzimin e ndryshëm të mbeturinave komunale për fitimin e energjisë.

“Maqedonia me të vërtetë mund të lavdërohet me shembuj të cilat vlerësohen në nivel rajonal si shembuj të mirë dhe të cilët mundësojnë jo vetëm të bëhemi më të pavarur në aspektin energjetik por në këtë mënyrë të kontribuojmë drejt zvogëlimit të ndotjes së ajrit”, tha zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli.

Më pas ai e shprehu pritshmërinë e tij që komunat të tregojnë interesim më të madh për zgjidhjet të cilat ekzistojnë, për arsye se vlerëson se pikërisht mbeturinat të cilat janë kancer i shumë vetëqeverisjeve lokale në vend, nëse jo edhe i të gjithëve, mund të trajtohen në një mënyrë më ndryshme e cila do të thotë benefit dhe jo shpenzim.

Në hapjen e panel diskutimit mori pjesë edhe Jaromir Leviçek nga Delegacioni i BE-së në Maqedoni i cili e theksoi faktin se në shtetet e BE-së riciklohen përafërsisht 42 për qind e mbeturinave, ndërsa qëllimi është deri në vitin 2030, 65 për qind e mbeturinave të riciklohen. /Fol/