Partitë shqiptare në Maqedoni kanë bërë një hap të madh duke u ulur në një tavolinë për të rregulluar gjendjen e qytetarëve shqiptarë në këtë shtet duke e hartuar një platformë të përbashkët, por kjo gjë nuk u ka pëlqyer fare mediave në gjuhën maqedone, shkruan Telegrafi.

Portali mkd.mk e ka filluar shkrimin e saj për këtë temë me pyetjen: ”Si është e mundur që 100-sha të jetë më e vogël se 20-sha?” duke aluduar në numrin e deputetëve shqiptarë(20) dhe maqedonas(100).

I njejti portal thotë ”Qeveria e re do të varet nga dëshira e 20 deputetëve e jo nga shumica. Që të ketë jetëgjatësi kjo qeveri duhet të përmbush kushtet si: dygjuhësia në të gjithë territorin e Maqedonisë, kryetari i Kuvendit të jetë në mesin e atyre 20 deputetëve dhe vendimet e rëndësishme për shtetin të sillen nga ata 20 deputetë”.

Media tjetër, Republika, që njihet si mashë e pushtetit të VMRO-DPMNE-së, e ka vlerësuar këtë marrëveshje si sulmuese ndaj himnit, stemës dhe flamurit të Maqedonisë.

Qytetarët maqedonas gjithashtu janë të habitur se si është e mundur që partitë shqiptare të bashkohen për interesat e qytetarëve shqiptarë kurse partitë maqedonase të mos bashkohen kur janë në pyetje interesat e qytetarëve të tyre.

Ja se ç’shkruan në Twitter një Maqedonas. ”Si arritëm deri këtu? Politikanët shqiptarë gjithmonë janë bashkuar kur është në pyetje interesi i shqiptarëve në Maqedoni? Të tanëve nuk ua ndien për ne!”.

”Është e mjerueshme që shqiptarët janë të bashkuar për interesat e tyre, e tanët ju nxjerrin sytë njëri tjetrit.” shkruan qytetari tjetër./Telegrafi/