Nga Mensur Krasniqi

Së bashku kundër BDI-së, duket se do të jetë slogani që do të bashkojë Lëvizjen BESA dhe Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela.

Negociatat për koalicionin e mundshëm tashmë kanë nisur, por gjithçka do të varet nga ecuria e tyre.

Dhe nëse ndodh, atëherë formula që do të përdoret janë rezultatet e zgjedhjeve të 11 dhjetorit të 2016, ku në zonat që njëra parti ka dalë më mirë do të ketë të drejtën e propozimit të kandidatëve që do të kenë mbështetjen edhe të subjektit tjetër.

Referuar kësaj, BESA nxjerr kandidatë në 11 komuna, ndërsa Aleanca për Shqiptarët në 4.

Zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu, për televizionin Shenja, ka deklaruar se kjo parti po i shqyrton të gjitha mundësitë dhe se të gjitha opsionet janë të hapura.

Sipas tij, BESA tashmë ka pasur kontakte me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa të gjitha informacionet e bashkëpunimit për ndonjë koalicion të mundshëm me Bashkimin Demokratik për Integrim në komuna të ndryshme janë shpifje.

“Sa i përket koalicionimeve të mundshme parazgjedhore, ne jemi duke shqyrtuar cila është mundësia më e mirë, tani për tani të gjitha opsionet janë të hapura, edhe pse ka disa tentativa, por shpresojmë që të ndodhë më e mira për qytetarët. Ka pasur kontakte me Aleancën për Shqiptarët, ka bisedime të grupeve të punës dhe të komisionerëve, të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. Me BDI-në, kemi qenë të qartë me kohë, se me ata nuk ka mundësi për asnjë lloj koalicioni ose bashkëpunimi”, thotë Fazliu.

Nga ana tjetër edhe Aleanca për Shqiptarët ka pranuar se janë të hapur edhe për bashkëpunim me subjekte politike, me të cilët do të gjejnë gjuhë të përbashkët në interes të menaxhimit sa më efikas të komunave.

“Ajo që mund të pritet nga bashkëpunimi me Lëvizjen BESA varet nga ecuria e bisedimeve nga grupet negociuese. Në këtë fazë ekziston vullnet i mirë politik, për t’u takuar dhe biseduar për bashkëpunim apo koalicionim eventual për zgjedhjet 2017″, citojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Komunat ku Aleanca për Shqiptarët mund të nxjerrë kandidatë ndërsa ata do të përkrahen edhe nga Lëvizja BESA janë:

Gostivar
2. Vrapçishtë
3. Dibër
4. Strugë
Ndërsa komunat ku Lëvizja BESA do të nxjerr kandidat dhe ato do të përkrahen edhe nga Aleanca për Shqiptarët janë:

Bogovinë
2. Tetovë
3. Tearcë
4. Brvenicë
5. Zhelina
6. Saraji
7. Studeniçani
8. Çair
9. Haraçinë
10. Likovë
11. Dollnen
Sa i përket qytetit të Kërçovës, Aleanca për Shqiptarët kanë dalë me qëndrim publik në mbështetje të kandidatit të BDI-së, Fatmir Dehari pasi siç thonë ata nuk është paraqitur asnjë kandidat konsensual.

Nga Lëvizja BESA ende nuk janë prononcuar nëse do të mbështesin Fatmir Deharin kundër kandidatëve të partive maqedonase, ose do të nxjerrin kandidatin e tyre.