Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Mehmeti kërkoi nga pjesëtarët e policisë, që të martën t’i shoqërojnë në mënyrë profesionale anëtarët e grupit të “Kumanovës”, nga burgu për në gjykatë, dhe të mos ushtrojnë dhunë ndaj të arrestuarve, siç kanë bërë gjatë shoqërimit të tyre dy muaj më parë.

“Ndaj tyre është ushtruar dhunë, qoftë fizike ashtu dhe psikike. Unë them se është kryer torturë dhe organet duhet të mendojnë mirëfilli për atë punë”, tha Ixhet Mehmeti, Avokat i Popullit në Maqedoni.

Avokati i Popullit, i cili ka dorëzuar në Prokurori 3 kallëzime penale për brutalitet policor ndaj pjesëtarëve të grupit të “Kumanovës”, kërkon që të ngrihet sa më parë aktakuzë kundër zyrtarëve të policisë, që kanë ushtruar dhunë ndaj të akuzuarve.

“Unë jam i bindur se, Policia duhet të tregojë emrat e oficerëve, sepse dihet se cilët policë kanë qenë në mjetet transportuese”, tha më tej Ixhet Mehmeti.

Në seancën gjyqësore të ditës së martë, Prokuroria Publike do të fillojë me prezantimin e provave për ngjarjet e Kumanovës, që ndodhën në maj të vitit të kaluar.

Prokuroria Publike në Shkup i akuzon për terrorizëm, 29 anëtarët e grupit të armatosur, që u arrestuan nga policia në “Lagjen e Trimave”. Por, në seancën për shqyrtimin e aktakuzës, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, duke i thënë gjykatës se, gjatë luftimeve ku humbën jetën 18 persona, kanë qenë të detyruar të vetëmbrohen, pasi janë sulmuar nga Policia maqedonase.