Aktivizimi i futbollistëve të kombëtares shqiptare mbetet një ndër shqetësimet kryesore të trajnerit Xhani De Biazi.

Gjatë një intervistë për “Top Channel”, ai ka thënë se ky është një problem shumë i madh për skuadrën që do të marrë me vete në Europianin e Francës.

“Futbollistët që kanë ndërruar skuadër kanë bërë mirë që janë larguar nga skuadrat e tyre të mëparshme, pasi tani mund të kenë më shumë minuta aktivizimi. Nuk prisja që të shkonin në skuadra të mëdha, pasi ne nuk kemi yje dhe normalisht që edhe trajnerët e skuadrave të tyre kanë dëgjuar për ta. Kam kontribuar sa kam mundur me kolegët e mi në Itali që një pjesë e futbollistëve të sistemohen”, ka deklaruar De Biazi.

Tekniku kuqezi ka bërë një koment edhe për Bersant Celinën, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së tij në skuadër.

“Celina është një nga talentet më premtues për të ardhmen. I ka të gjitha mundësitë për të luajtur me Shqipërinë, por gjithsesi janë shumë pak minuta aktivizim për të.

Jam i kënaqur që Sadiku dhe Cikalleshi kanë shënuar. U kam dërguar të dyve SMS”, ka thënë De Biazi.