Propozim buxheti i përgatitur për vitin 2018 nga ana e Ministrisë së Financave, sot do të jetë në rend dite të seancës së Qeverisë e cila është caktuar për vonë pasdite. Propozim buxheti për vitin 2018 është projektuar në 211,7 miliardë denarë ose 3,44 miliardë euro, përcjell Fol.

Të ardhurat janë planifikuar në 193,5 miliardë denarë, ndërsa deficiti buxhetor në 18,2 miliardë denarë ose 2,7 për qind të BPV-së. Për shpenzimet kapitale janë paraparë 24,7 miliardë denarë, ndërsa në buxhetin e propozuat ka mjete edhe për paga më të larta në arsim, shëndetësi si dhe për rritje të pensioneve, gjegjësisht harmonizimi i tyre me shpenzimet e jetës.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve dedikohen për pensione, mbrojtje sociale dhe të fëmijëve me 32 për qind nga shpenzimet e përgjithshme, 19 për qind dedikohen për zhvillim ekonomik dhe punë financiare, 14 për qind për shëndetësi, 11 për qind për arsim, shkencë dhe sport, nga pesë për qind për ndërtimtari, transport, komunikime dhe ekologji, bujqësi dhe rend publik dhe siguri, tre për qind për mbrojtje, nga dy për qind për punë të jashtme dhe BE integrim dhe kulturë dhe nga një për qind për gjyqësi dhe zhvillim rajonal.

Pagat janë projektuar në 27,1 miliardë denarë dhe ka rritje prej 460 miliardë denarë për shkak të pagave më të larta për të gjithë pjesëtarët e ARM-së, punësime të reja në kopshtet për fëmijë, si dhe rritje të pagave në shëndetësi, arsim dhe në kopshtet për pesë për qind e cila është paraparë me pagën e shtatorit në vitin 2018.

Te shpenzimet kapitale është planifikuar rritje prej 1,3 miliardë denarë më shumë në lidhje me ribalansin nga viti 2017. Ministri i Financave, Dragan Tevdovksi, tha se është planifikuar intensifikimi i të gjitha aktiviteteve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën komunale dhe energjetike, investime në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje të fëmijëve, ndërsa veçanërisht janë rritur mjetet për mbrojtje dhe gazifikim. Për mallra dhe shërbime janë paraparë 17,2 miliardë denarë dhe ato janë më të ulëta për 420 milionë denarë gjegjësisht për 2,4 për qind në krahasim me projektimin për vitin 2017. Me Propozim-buxhetin për vitin 2018 parashikohet rritje e akcizës për naftën për tre denarë nga çka efekti i pritur do të kushtojë 1,6 miliardë denarë, ndërsa nga TVSH-ja 350 milionë denarë dhe me këtë do të ketë të ardhura shtesë për Ndërmarrjen publike për rrugë të shtetit. Propozim buxheti për vitin e ardhshëm për herë të parë që nga pavarësia është paraqitur në opinion para se të dërgohet në miratim në Qeveri dhe pastaj edhe deri te Kuvendi. U organizua edhe debat publik me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Financave Dragan Tevdovski dhe ekspertë, ndërsa ishin të ftuar edhe përfaqësues nga opozita të cilët vendosën të mos marrin pjesë.

Propozim-buxheti u prezantua edhe para sindikatave, odave ekonomike dhe sektorit joqeveritar. Ministri Tevdovski, siç njofton AIM, theksoi se me këtë buxhet në vitin 2018 është planifikuar konsolidim gradual fiskal i cili si duket nga ajo që deficiti i planifikuar për vitin e ardhshëm është më i ulët për 0,2 për qind nga ai në vitin 2017 i cili është projektuar në 2,9 për qind. Për kryeministrin Zoran Zaev, ndërkaq propozim buxheti për vitin 2018 është buxhet për stabilitet financiar.

“Ky është buxhet për stabilizim financiar. Vazhdojmë edhe me marrjen e kredive me të cilat do të mbështeten vetëm projekte infrastrukturore. Por, ajo që do të thotë edhe stabilizim jemi të drejtuar para rritjes së akcizës së naftës prej tre denarëve që të mund t’i mbulojmë ato obligime që janë të rëndësishme për qytetarët, e të mos jetë vetëm nga marrja e kredive”, tha kryeministri Zaev në debatin publik të organizuar në kuadër të politikës së Qeverisë për raportin dhe transparencës në sjelljen e Buxhetit që në fazën e gatishmërisë së tij para se ai të votohet nga Qeveria.

Propozim-buxhetin që do ta miratojë Qeveria, duhet të dërgohet deri te Kuvendi më së voni deri më 15 nëntor. Në seancën qeveritare, sot në rend dite janë edhe Propozim-ligji për kryerjen e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2018, si dhe disa pika tjera në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. /Fol/