Kompanitë që nuk u kanë paguar punëtorëve K-15 në dhjetë muajt e parë të vitit atë e kanë patjetër ta bëjnë në nëntor dhe dhjetor, në rast se nuk e bëjnë këtë as tani, parashihen dënime me burg apo me para për punëdhënësit.

Vlera e K-15 rregullohet në bazë të të dhënave për shumën e neto pagës dhe bruto pagës të punëtorit në tre muajt e fundit. Në bazë të këtyre përllogaritjeve, kjo shumë vitin e kaluar ishte më së paku 8.909 denarë, ndërsa më së shumti 13.116 denarë.

Rritja e pagës minimale prej 10.800 në 12.000 denarë dhe rritja ekzistuese e pagës bruto për të punësuarit në Maqedoni janë dy faktorët që ndikojnë punëtorët të marrin më shumë mjete për K-15 në krahasim me atë që e kanë marrë vitin e kaluar.

Përllogaritjet bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë për lëvizjen e pagës neto dhe bruto në muajin qershor tregojnë se vlera e K-15 për çdo të punësuar në Maqedoni duhet të lëviz në interval prej 9.123 deri 13.403 denarë.