Një varg paqartësish karakterizojnë obligimin që personat fizik të cilët kanë bërë qarkullim mbi 1 milion denarë në vitin 2017, të regjistrohen si obligues të TVSH-së. Nuk është e qartë se cilat kategori janë përfshirë dhe nëse do të ketë dënime për ata që nuk janë regjistruar deri në afatin ligjor i cili skadoi më 15 janar. Maria Xhons, e cila punon si përkthese, ishte njëra nga kundërshtarët më të zëshëm kur para tre viteve Qeveria e atëhershme e OBRM-PDUKM-së, tentoi që t’u imponojë taksa më të larta honoraristëve. Sot ajo është edhe kundër tentimit të këtij pushteti të LSDM-së për t’i taksuar me TVSH personat të cilët përfitojnë nga puna intelektuale.
“Qeveria mendon se do t’u kalojë te njerëzit të cilët, siç thanë, janë ata një përqindëshi i të pasurve. Edhe pse, nëse kjo është e ardhura e tyre e vetme, ky honorar, është shumë i pasigurt dhe mund të ndryshojë tmerrësisht shumë. Mundet që një vit të fitoni 1 milion denarë, e vitin e ardhshëm 300.000” thotë Maria Xhons, përkthyese.
Sipas Xhons, problemi kryesor është që ngarkesat e këtilla tatimore me vete bartin edhe obligime të caktuara administrative për personat fizik. Kjo, siç shprehet ajo, do të jetë motiv plotësues i njerëzve që të tentojnë t’i shmangen tatimit.
“Me vetë faktin që ishte paralajmëruar që “Këtë nuk e shpikëm ne por është ligj i Gruevskit prej kushedi cilit vit dhe ne vetëm do ta zbatojmë atë”, mund t’i porosis, ju dëshiroj fat! Imazhi i një pjese të madhe të këtyre ligjeve që Gruevski mundohej t’i zbatojë ishte shumë i keq sepse ishin jo të përgatitur mirë shton ajo.”
Qeveria tani për tani nuk jep përgjigje konkrete se si do të kalohet problemi dhe nëse mendohet që kufiri për t’u bërë obligues i TVSH-së të zhvendoset prej 1 në 2 milion denarë. DAP-i tashmë pesë ditë nuk publikon shifrën se sa persona fizik janë regjistruar si obligues të TVSH-së deri më 15 janar. /Alsat-M/