Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të 82-të e miratoi Protokollin se si duhet të veprojnë shkollat fillore dhe të mesme ku do të mbahet mësimi më largësi trupore.

Sipas protokolleve të miratuara, prindërit e fëmijëve që mësojnë në shkolla fillore duhet në shtëpi ta masin temperaturën çdo ditë kur shkojnë në shkollë dhe nëse temperatura është mbi 37, nxënësit nuk duhet të vinë në shkollë, ndërsa prindërit duhet të paraqitën në telefon udhëheqësit të paraleles. Në shkollë po ashtu në hyrje nxënësve do t’u matet temperatura, njofton Telegrafi Maqedoni.

Mësimi në klasë do të bëhet me jo më shumë se 20 pjesëmarrës në klasë ndërsa në klasë duhet të sigurohet largësia trupore prej 1.5 metrave mes nxënësve. Dita e parë e mësimit fillon me udhëzime se si duhet në mënyrë të sigurt të sillen, të mbajnë largësi trupore, të mbajnë higjienë dhe të mbrojnë shëndetin e tyre, por edhe shëndetin e nxënësve dhe të punësuarve në shkollë.

Ndalohen përshëndetjet me kontakt fizik si për punonjësit në shkollë ashtu edhe mes nxënësve. Gjatë mësimit dhe gjatë pushimeve, me nxënësit duhet të jetë i pranishëm kujdestari i klasës/mësuesi i cili kujdeset për largësinë fizike mes nxënësve. Gjatë mësimit në klasa, nëse lejojnë kushtet klimatike, të mbahet mësimi në hapësira të hapura. Në klasa nëse ka klimatizim apo ventilim, të njëjtat nuk duhet të përdoren.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu mori vendim ku viti i ri mësimor do të fillojë më 1 tetor.