MAQEDONI Universiteti i Sigurisë në Shkup, përjashtohen shqiptarët

Projektligji i Ministrisë së Arsimit për themelimin e Universitetit për Mbrojte dhe Siguri “Damjan Gruev” në Shkup ka nxitur reagime të ashpra në Kuvend.

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë e quan monoetnik vendimin për themelimin e këtij universiteti, veprimtaria e të cilit parashikohet të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Kjo parti opozitare kërkoi ndryshimin e projektligjit dhe akuzoi ministrin e Arsimit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi, se po shkel vullnetin e shqiptarëve duke hapur institucione arsimore vetëm për maqedonasit.

“Ky është kontrabandim i vullnetit të shqiptarëve. Ne kemi propozuar amendamente që në esencë do ta ndryshojnë karakterin e këtij universiteti. Amendamentet tona kanë të bëjnë me emërtimin, kërkojmë gjuha shqipe të jetë gjuhë pune në këtë universitet dhe natyrisht edhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve”, deklaroi deputeti Orhan Ibrahimi.

Projektligji për themelimin e universitetit “Damjan Gruev” është i papranueshëm edhe për opozitën maqedonase, e cila ka propozuar rreth 1.000 amendamente për të ndryshuar tekstin e draftit.

Për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kohëzgjatjes së diskutimeve lidhur me amendamentet, debati i ashpër mes deputetëve maqedonas për pak sa nuk kaloi në përplasje fizike.

“Me propozimin e rreth 1.000 amendameteve opozita maqedonase publikisht e pranoi se po pengon themelimin e universitetit dhe po bllokon në vijmësi të gjitha proceset pozitive në Republikën e Maqedonisë”, tha Zoan Iljovski nga VMRO-DPMNE.

“LSDM-ja dhe opozita nuk do të lejojnë themelimin e universiteteve, qëllimi i të cilave është strehimi i ushtarëve partiakë të VMRO-DPMNE-së”, reagoi Goran Sugarevski, deputet i LSDM.

Në kuadër të universitetit “Damjan Gruev”, që sipas pushtetit pritet të fillojë me punë në tetor, është parashikuar të hapen 8 fakultete për përgatitjen e studentëve për nevojat e armatës dhe policisë së Maqedonisë.