Zyrtarisht përfundoi procesi i integrimit ushtarak të Maqedonisë së Veriut në strukturat komanduese dhe në strukturën e forcave të Aleancës Veriatlantike. Për këtë qëllim, mëngjesin e sotëm në vend arriti komandanti i Komandës së Lartë Aleate për Transformim të NATO-s, gjenerali Filip Lavinjit. Ai e uroi vendin për përfundimin e shpejtë dhe të suksesshëm të integrimit ushtarak të vendit në Aleancë, duke theksuar se Maqedonia e Veriut mund të llogarisë në solidaritetin dhe mbështetjen e aleatëve të NATO-s.

Filip Lavinjit, gjeneral i NATO-s

“Zgjerimi i NATO-s është dëshmuar të jetë një mekanizëm efektiv për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë. Sot i shprehim mirënjohjen tonë Maqedonisë së Veriut për kontributin për stabilitetin në Evropën Juglindore dhe NATO-n”.

Presidenti Stevo Pendarovski tha se nuk ishte e lehtë rruga drejt anëtarësimit të plotë në NATO, por se me aktivizimin e ftesës për anëtarësim në NATO, shteti fitoi shikueshmëri më të madhe ndërkombëtare dhe potencial diplomatik për realizimin e interesave strategjike politike dhe ekonomike.

Stevo Pendarovski, president

“E ardhmja e parashikueshme që ofron anëtarësimi në NATO është baza për vazhdimin e reformave demokratike në vend, të cilat nga ana e tyre ndikojnë në rritjen ekonomike dhe standarde më të larta të jetesës së qytetarëve”.

“Me nënshkrimin e kësaj deklarate të përbashkët, zyrtarisht rrumbullakohet procesi i integrimit ushtarak të Republikës së Maqedonisë së Veriut në strukturat komanduese dhe në strukturën e forcave të Aleancës. Maqedonia e Veriut me përkushtim punoi në proceset që e mundësuan integrimin ushtarak, gjë që e bën vendin të qëndrojë krah për krahu me aleatët tanë në NATO”.

Me rastin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, ministrja e Mbrojtjes Shekerinska tha se jemi në fund të rrugës prej njëmijë kilometrash, por edhe se po fillohet një rrugë e re për modernizimin e plotë të ushtrisë.

Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes

“Ne tregojmë se anëtarësimi ynë në NATO nuk ishte vetëm një vendim politik, por rezultat i reformave të mëdha. Këtë qëllim e arritëm për 19 muaj nga nënshkrimi dhe është integrimi më i shpejtë ushtarak në Aleancë”.

Me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me NATO-n sot përfundoi zyrtarisht procesi i integrimit në NATO.