Imunizimi i popullatës në Maqedoninë e Veriut ka vazhduar me ritme të shpejta dhe deri të premten numri i personave të vaksinuar, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, ka arritur në afër 100 mijë persona apo rreth 40 mijë më shumë se para nisjes së vaksinimit masiv të mërkurën, më 5 maj.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë ditore janë vaksinuar mes 10 dhe 15 mijë persona ndërsa është rritur edhe numri i personave që po shprehin interesim për vaksinim. Në aplikacionin vaksinimi.mk janë paraqitur mbi 250 mijë persona.

Imunizimi po bëhet me vaksinën e kompanisë kineze, Sinopharm si dhe me atë të Rusisë, Sputnik. Në mesin e të vaksinuarve janë edhe kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Unë jam marrë vaksinën nga Sinopharm. Të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe i bëj thirrje të gjithëve që të jenë të vetëdijshëm se vaksinat janë të sigurta, që të gjitha janë zhvilluar në platforma të sigurta. Efektet anësore janë me të vërtetë të vogla, ka indikacione të sakta ose kundërindikacione për grupmoshat ose disa kategori specifike kritike të qytetarëve që nuk do të kenë nevojë të marrin një vaksinë”, ka deklaruar ministri Filipçe.