Dita Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gazetarëve e gjen Maqedoninë të zhytur në probleme me lirinë e shprehjes. Nga Instituti për Media thonë se në pjesën më të madhe të rasteve të dhunës ndaj gazetarëve ekziston parimi i pandëshkueshmërisë që i hap rrugë edhe përsëritjes së këtyre veprimeve edhe në të ardhmen.

“Analizat thonë se edhe në vendin tonë ka shumë raste të dhunës së përditshme, kërcënime, shantazhe, selektim të gazetarëve të cilët përfaqësojnë presione serioze që e pamundësojnë punën e tyre të përditshme që është kërkimi i së vërtetës, dhe në mënyrë shtesë ekziston një lloj trendi i mos-zbardhjes së rasteve të dhunshme ndaj gazetarëve”, tha Biljana Petkovska, Instituti i Medias në Maqedoni.

Ndërkohë nga Qendra Civil theksojnë se nga 15 korriku i këtij viti, dita kur edhe u nënshkrua Marrëveshja e Përzhinës kemi me dhjetëra raste që evidentohen si dhunë ndaj gazetarëve.

“Ne kishim protestat që u zhvilluan gjatë kësaj periudhe ku kishte edhe dhunë ndaj gazetarëve nga ana e policisë, kishim edhe sulme të llojit tjetër. Mos flasim për presionet subtile apo jo-subtile ndaj redaksisë që vijnë nga ana e faktorëve politik. Këtu është presioni edhe nga ana e qendrave ekonomike të fuqisë, domethënë është një ambient fare i pavolitshëm për të zhvilluar një gazetari profesionale, të paanshme dhe objektive”, theksoi Petrit Saraçini, CIVIL.

Sipas “Freedom House” Maqedonia është vendi i vetëm në Ballkan që është cilësuar si jo i lirë për sa i përket lirisë së shtypit, kundrejt shteteve të rajonit që janë cilësuar si pjesërisht të lira. Sipas OSBE-së gjatë 25 viteve të fundit 1200 gazetarë janë vrarë duke bërë punën e tyre. Duke u bazuar në raportin e fundit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara, UNESCO, në çdo pesë ditë vritet një gazetar për shkak të punës që e kryejnë/Alsat-M