Republika e Maqedonisë sot shënon 8 Shtatorin- Ditën e pavarësisë. Në ditën e sotme në vitin 1991, u mbajt referendumi në të cilin qytetarët me shumicë bindëse mbi 95% u deklaruan për shtet të pavarur.

Më herët, më 25 janar 1991, parlamenti i parë shumë- partiak miratoi Deklaratën për pavarësi.

Shteti i parë që pranoi pavarësinë e Maqedonisë ishte R. e Bullgarisë. Më 8 prill 1993 me aklamacion në Kuvendin e përgjithshëm të KB-ve, Maqedonia u pranua si anëtare e 181 e kësaj Organizate botërore. Për shkak të kundërshtimit të Greqisë lidhur me emrin, Maqedonia në KB u pranua me referencën IRJM.

Në suazat e shënimit të 25 vjetorit nga shpallja e pavarësisë, sot para përmendores “Dëshmorët e rënë për Maqedoninë” në parkun “Zhena Borec” lule kanë vendosur delegacione të Qeverisë dhe Kuvendit. Prezent ishin edhe përfaqësues të partive politike, kori diplomatik dhe shoqata civile.

Ndërsa në Kuvend, u mbajt ceremonia solemne ku seleksionuesit të parë të kombëtare maqedonase në futboll, Andon Donçevski iu dorëzua mirënjohja për vepër jetësore, çmimi shtetëror “8 Shtatori”. Çmime për vepra në fushën e sportit morën edhe Sashko Popovski në vaterpolo, Agim Ejupi, Dobre Marinkov dhe Foti Gatovski nga sporti i mundjes.

Mbrëmë, në suazat e festës shtetërore, në Teatrin popullor të Maqedonisë u mbaj akademia solemne ku fjalim mbajti presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov.