Maqedonia humbi edhe dy milionë euro nga fondet IPA të destinuara për financimin e projekteve në nivel lokal, mëson Alsat. Bëhet fjalë për para që duhej të përdoreshin për studime, për hartimin e projekteve të stacioneve të filtrimit si dhe projekte të tjera investimi në komunat Kavadar, Gostivar dhe Dibër. Sipas burimeve të Alsat M, Brukseli i ka anuluar paratë për shkak të shkeljes së afateve për evaluim. Afati i fundit për përgatitjen e studimeve ka qenë më 25 prill të vitit 2016. Alsat – M kërkoi qëndrim nga Ministria e Ekologjisë, për arsyen e anulimit të fondeve dhe nëse ministria ka njohuri për projektet që zhvillohen në zyrat e saj në komunat respektive. Deri në fillim të lajmeve nuk morëm asnjë përgjigje. Ministri i ekologjisë Bashkim Ameti në një bisedë të shkurtër telefonike për Alsat-M, tha se kishte njohuri rreth procedurave që kanë vijuar, por nuk ka konfirmim zyrtar për mohimin e parave.
Nuk mund të përgjigjem tani, sepse nuk kemi ende një përgjigje zyrtare. Kam njohuri për procedurën e tërë si ka vijuar, por ne nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar nëse ato janë tërhequr. Unë nuk mendoj se paratë janë tërhequr ashtu siç thoni ju – tha Bashkim Ameti, ministër i Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor.
Burimet e Alsat – M thonë se gjatë viteve të kaluara projektet që duhej të financoheshin nga fondet IPA të BE-së, i kanë marrë kryesisht komunat të udhëhequra nga VMRO-ja dhe kompani konsulente të afërta me partinë në pushtetet. Sipas këtyre burimeve e gjithë procedura është kryer dhe zbatohet nga shefja e sektorit për Bashkim Evropian, Jadranka Ivanova. Alsat – M kërkoi qëndrim nga ministria nëse realizimi i projekteve varet nga përkatësia partiake, por nuk morëm përgjigje. Sipas zëvendëskryeministrit në largim nga radhët e VMRO – DPMNE-së, Vlladimir Peshevski, nuk është qëllimi që të shpenzohen tërësisht paratë evropiane, por më me rëndësi janë reformat dhe ndërtimi i kapaciteteve.
Kapaciteti i administratës vazhdimisht forcohet, ka progres të vazhdueshëm. Niveli i projekteve që janë realizuar dhe numri i njerëzve të cilët janë trajnuar vazhdimisht rritet – tha Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike
Kjo nuk është hera e parë që Komisioni Evropian anulon fonde për Maqedoninë. Vitin e kaluar KE-ja e gjobiti Maqedoninë, apo i shkurtoi rreth 30 milionë euro fonde evropiane të dedikuara për vendin. Arsyeja siç sqaroi Brukseli ishte mungesa e vullnetit të qeverisë për të zbatuar reformat dhe keqadministrimi i parave nga fondet IPA. Pushteti atëherë ishte arsyetuar se nuk bëhej fjalë për sanksione, por për anulim të fondeve të programuara.