Me mijëra shqiptarë dhe familje shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të përballen me problemin e mos posedimit të shtetësisë. MPB ka vendosur në mënyrë diskrecionale të mbyll dosjen e shtetësive për shqiptarët.

Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Shtetësisë në vitin 2004 nga partnerët e koalicionit BDI dhe LSDM patën krijuar vetëm  paqartësi  duke pa munësuar zgjidhjen e këti problem, njofton agjencia e lajmeve INA.

Ky ligj vështirësoi tejmase problemin sepse kishte limite se deri kur të gjithë qytetarët e ish-republikave jugosllave që kanë pasur vendqëndrim në Maqedoni duhej të aplikonin për të drejtën e shtetësisë.

Kështu pa ndonjë fushatë alarmuese dhe me këtë ligj të gjymtuar, ngelën sërish pa shtetësi mijëra familje shqiptare.

Sot e kësaj dite kemi familje që edhe përkundër vendbanimit dhe pranisë mbi 60 vjeçare në Maqedoni, nuk posedon të drejtën e shtetësisë. Familja shtatë anëtarshe e Remzije.R nga Kumanova, me vendbanim mbi 40 vjet, ende nuk disponon me dokumentin e shtetësisë.

Ajo thotë se me vdekjen e burrit të saj gjatë vitit 1996 të gjithë fëmijet kanë ngelur pa këtë dokument dhe se hallet e kësaj familjeje janë të rënda nën ethet e varfërisë. “Nuk kemi çka të bëjmë. Sikur të mos ekzistojmë. Të gjithë fëmijët i kam të vegjël dhe për çdo sëmundje, për shkak të mungesës së sigurimit, vështirë përballojmë kushtet e rënda “, rrëfen nëna Remzije. Edhe dy vëllezërit Hasani gjithashtu evidentohen pa shtetësi dhe për gati 15 vite orvaten në forma të ndryshme për të marrë këtë dokument, për shkak se janë mbi 6 dekada në Maqedoni. Ata për shkak të problemeve të udhëtimit së fundi janë detyruar të marrin pasaporta zvicerane, për shkak të vendqëndrimit të përkohshëm atje.

Në fshatin Sopot të Kumanovës, shumica e banorëve shqiptarë të këtij fshati që janë me vendbanim të përhershëm nuk posedojnë shtetësinë, sepse konsiderohen si të ardhur, edhe përkundër faktit se në Maqedoni janë me dekada të tëra.

Politika i sheh me sy ndryshe këto probleme, partitë shqiptare ka kohë që pretendojnë se e kanë zgjidhur këtë problem.

Organizata joqeveritare OBRIE ka theksuar se do të merret me trajtimin e këtyre problematikave dhe me një fushatë ndërkombëtare duke dërguar peticion pranë BE-së për të shqyrtuar legjislacionin dhe mijëra rastet që duhet të regjistrohen sërish se sa është numri i të gjithë atyre pa shtetësi.

Kurthi dhe labirinthet institucionale për shqiptarët ?

MPB vite me radhë ka ushtruar dhe ka imponuar kushte të ndryshme speciale për të ardhur deri tek shtetësia e Maqedonisë dhe këto rregulla kryesisht kanë qenë të pamëshirshme për shqiptarët. Nëpër lagjet e Shkupit, në Kumanovë, Likovë, Tetovë, Gostivar e gjetiu janë me qindra shqiptarë që nuk posedojnë shtetësinë.

Këtyre qytetarëve fillimisht i është kërkuar që të aplikojnë dhe pastaj procedurat e tyre janë vonuar me vite të tëra. Por, njëkohësisht, MPB këtyre personave menjëherë me aplikimin e bërë, i ka konfiskuar letërnjoftimet e vjetra qysh nga viti 1994.

Pas shumë vite pritje dhe ankesave të bëra, e dëmeve të shkaktuara financiare dhe krimin e organizuar që vepronte mes avokatëve dhe nëpunësve policor, shqiptari i gjorë humb shpresat dhe jeton në izolim total. Ky skenar ka vijuar në heshtje me vite të tëra. Përgjigja e vazhdueshme ka qenë se në bazë të nenit të famshëm 7 “personi konsiderohet i rrezikshëm” dhe është e drejtë e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror të mos jap sqarime dhe arsyetime. (ILIRIA NEWS AGENCY-INA)