Mos pagesat e Qeverisë me kohë, krijojnë efektin zinxhir të borxheve ndaj biznesit privat, qofshin ata për punët e kryera për institucionet shtetërore apo mos kthimi më kohë i TVSH-së nga ana e shtetit, thonë përfaqësuesit e bizneseve private.

Sipas tyre, çdo vonesë për pagesa të borxheve që shteti u ka kompanive private apo mosrimbursimi në kohë i TVSH-së, sjell efekte negative ndaj punonjësve për pagat, fitimet dhe sigurimet.

Detyrimet e fshehura deri më tani nga Qeveria paraardhëse, sipas biznesmenit dhe ish kryetarit te Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) Menderes Kuçi, pritet të ndikojnë ndjeshëm në punën e ardhshme të komunitetit të biznesit privat dhe, sipas tij, është koha që kjo gjendje të ndryshojë dhe Qeveria e ardhshme të merr masa, të cilat do të jenë në përputhje me detyrimet apo pagesat ndaj bizneseve private.

“Procesi i vetë-deklarimit të sipërmarrësve që shteti ju ka borxhe të pakthyera për punët e kryera publike të dhëna me koncesion, duhet të jetë transparente nga Qeveria e ardhshme dhe bizneset private, duhet të jenë më të zëshëm dhe të kërkojnë haptas borxhin që qeveria u ka atyre. Jam i vetëdijshëm që deri më sot asnjë kompani private publikisht nuk ka dalë të thotë se shteti i ka borxh kaq para apo se nuk i ka kthyer TVSH-në në kohën e paraparë. Këtë e ka nga frika, sepse më pas këtë kompani do ta vizitojnë inspektorë të dërguar nga Qeveria dhe do të përballen me gjoba të rënda”, tha për Koha, Menderes Kuçi, biznesmen privat.

Nga OEMVP-ja gjithashtu informojnë se firmat private, përveç që kanë probleme me pagesat e borxheve që u ka shteti, ata kanë probleme edhe më kthimin e TVSH-së nga ana e Qeverisë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se shteti u vonon pagesat firmave që kanë kryer punë publike për institucionet shtetërore. Nuk kemi të dhëna të sakta se sa është ky borxh. Megjithatë, borxhi është i lartë dhe mund të jetë mes 600 apo 700 milionë euro. Problemi i dytë më të cilin po ballafaqohen shumë firma private është fakti se shteti nuk ua kthen në kohë TVSH-në. Në fakt, në këtë drejtim shteti bënë disa pagesa, mirëpo sipas deklarimeve të anëtarëve tanë kur bëhet fjalë për shuma më të larat të kthimit të TVSH-së në vlerë 2, 3, apo 5 milionë denarë, atëherë rimbursimi i TVSH-së shkon më shumë vonesë”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore./Koha/