Opozita greke i kërkon llogari Qeverisë së Athinës për vonesat në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, lidhur me memorandumet dypalëshe, rishqyrtimin e teksteve shkollore dhe përdorimin e markave tregtare. Ish shefi i diplomacisë, tani deputet i partisë Siriza, Jorgos Katrugallos akuzoi Qeverinë për hipokrizi, meqë përskaj qëndrimeve se e respekton Marrëveshjen e Prespës, ka probleme serioze në zbatimin e së njëjtës. Përmes një pyetje deputetësh, Katrugallos pyet: Kur do të vijnë për votim në Parlament memorandumet me Maqedoninë e Veriut? Kur do të zgjidhen vonesat e mëdha për tekstet shkollore dhe markat tregtare?”

Nga Qeveria në Shkup shprehen optimistë se së shpejti do të ketë rezultate konkrete për tekstet shkollore dhe markat tregtare.

Komisionet përkatëse janë duke punuar edhe gjatë këtij viti. Në momentin që ato do të kenë marrëveshje apo do të kenë konkluza të përbashkëta për miratim, opinioni do të jetë i njoftuar – tha Muhamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë.

Rishikimi i teksteve shkollore, që duhej të përfundonte brenda një viti nga arritja e marrëveshjes, as që ka filluar. Kreu i Komitetit të përbashkët ndërdiscliplinor, Viktor Gaber paralajmëroi se takimi i radhës do të mbahet në shkurt, për harmonizimin eventual të programeve arsimore të dy vendeve. Ndërkohë kreu i Komisionit të posaçëm për markat tregtare, Gjorgji Filipov tha për Alsat se ekspertët punojnë në terren, por nuk kanë fuqi t’ua imponojnë kompanive private t’i ndryshojnë emrat e tyre.

Secila pjesë e grupës punon në terrenin e vetë, anëtarët organizojnë biseda e takime, me qëllim që ta thellojmë bashkëpunimin mes bizneseve nga dy palët dhe të inkurajojmë fillimin e tejkalimit të çështjeve të hapura, nëse ka të tilla. Meqë bëhet fjalë për çështje të pronësisë private, që përmbajnë edhe sekrete të kompanive nga dy vendet, transparenca e takimeve dhe komunikimit nuk janë aq të njohura për opinionin – deklaroi Gjorgji Filipov, Kryetar i Komisionit për markat tregtare.

Komisioni për markat tregtare u themelua më 18 qershor të vitit 2019 dhe puna e tij do të përfundojë në fund të vitit 2022. Gjatë vitit 2019 pati dy takime, ndërsa vitin e kaluar shkaku i pandemisë, komunikimi u zhvillua në mënyrë elektronike.