Qendrës Tregtare “Mavrovasja” do t’i ndryshohet pamja dhe do t’i ngjasoj qendrave tregtare europiane. Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit premtuan se do të investojnë në këtë Qendër Tregtare, ndërsa bëhet fjalë për rregullimin e tarracës së kësaj Qendre Tregtare, e cila do të shndërrohet në një zonë të gjelbër dhe me hapësirë për shëtitje dhe pushimore. Projekti në fjalë realizohet në bashkëpunim mes Qytetit të Shkupit, Komunës së Çairit dhe shfrytëzuesve të hapësirave dhe dyqaneve në Q.T. “Mavrovasja”.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, para mediave tha se qëllimi është që ta bëjmë Shkupin më të gjelbër, ku do të ndikoj në përmirësimin e ndotjes së ajrit në Shkup. “Jemi në dijeni që përmes projektit të ‘Shkupi 2014’, qyteti u betonizua dhe pa mëshirshëm u shkatërruan shumë zona të gjelbra”, potencoi ai, ndërsa shtoi se tani po e shohim se në çfarë gjendje është Q.T. “Mavrovasja”.

Megjithatë, tha ai, shumë shpejt ajo do të jetë çatia e tretë e gjelbër më e madhe në qytet. Sipas paralajmërimit, e gjithë hapësirave do të jetë 4000 m2, ku do të ketë 40 lloje të ndryshmeve të fidanëve dhe vegjetacion të ndryshëm. Përmes këtij investimi, në Q.T. “Mavrovasja” do të tentohet të reduktohet edhe nxehtësia urbane në qytetin e Shkupit. Ndryshe, Q.T. “Mavrovasja”, do të bëhet me tarracën e tretë më të madhe në Shkup me hapësirë të gjelbër. (Z.M)