Ka filluar sot realizmi i provimit ekstern të maturës shtetërore për sesionin e qershorit. Maturantët i janë nënshtruar provimit në gjuhën amtare. Sipas të dhënave të Qendrës shtetërore për provime, janë paraqitur 5.120 maturantë për gjuhën shqipe, 10.632 për gjuhën maqedonase dhe 418 maturantë për gjuhën turke.

Drejtori  i gjimnazit “Zef Lush Marku” Faruk Zeqiri, bëri të ditur se në këtë shkollë janë testuar gjithsej 550 nxënës, ndërsa shtoi se  testimi ka filluar në kohë dhe ka vijuar gjithçka në rregull.
“Sot në shkollën tonë po realizohet matura shtetërore, nxënësit po i nënshtrohen testimit në gjuhën shqipe dhe letërsi. Testimi ka filluar në orën 10, me kohë. Nuk kemi vërejte si nga ana e nxënësve, poashtu edhe nga ana e testatorëve, dmth gjithçka rrjedh në rregull… Gjithsej sot testohen të gjithë maturantët, 550 nxënës “, deklaroi Faruk Zeqiri, drejtor i gjimnazit “Zef Lush Marku”.

Edhe nxënësit e kësaj shkolle pohuan se testimin e kanë kaluar pa probleme, kanë hasur në disa gabimeve drejtshkrimore, por paqartësi  dhe parregullsi brenda testit nuk kanë pasur.

“Në testim sot kaluam shumë mirë, nuk kishte problem…Kishte ca gabime drejtshkrimore, po përgjithësi testi ishte shumë mirë”, tha një nxënës.

“Mirë ishte testimi, nuk kishim problem. Gjithçka ishte në rregull…Pyetjet ishin të mirë, ishin prej materialit që kemi pasur, ato ishin”, deklaroi një nxënës tjetër.

Dhënia e maturës shtetërore filloi nga ora 10 dhe zgjati katër orë. Më 10 qershor do të mbahet provimi për gjuhë të huaj.  Ashtu sikur viteve të kaluara, numri më i madh i nxënësve janë paraqitur për gjuhën angleze, gjegjësisht  15.201 nxënës, për gjuhën frënge 108, për gjuhën gjermane 197 dhe për gjuhën ruse 26 kandidatë.

Në lëndën e matematikës testimi do të mbahet më 12 qershor, ndërsa janë paraqitur 2.070 maturantë.

Provimi i fundit ekstern i maturës shtetërore do të jepet më 14 qershor, në lëndën e biologjisë dhe të paraqitur janë  3.445 kandidat,  në lëndën e kimisë 282, të fizikës 119, për historinë 2.900 kandidatë, për biznes 4.298, filozofisë 3.684 dhe për estetikë 193 kandidatë.

Qendra shtetërore për provime njoftoi se këtë vit janë paraqitur gjithsej 16.426 kandidatë. Prej numrit të përgjithshëm të maturantëve me gjimnaz janë paraqitur 8.274, me arsim të mesëm profesional  7.881 dhe 271 kandidatë të arsimit të mesëm artistik. Ndërkaq, rezultatet fillestare të testeve duhet të publikohen më së voni deri më 14 korrik, gjegjësisht një muaj pas provimit të fundit ekstern./SHENJA/