Një abuzim masiv i përfitimeve sociale nga qytetarët kosovarë në Austri, është zbuluar nga shteti austriak.

Një kosovar themeloi një agjenci turistike dhe me dy autobus ka realizuar udhëtime të rregullta gjatë viteve 2014 dhe 2015 mes Austrisë dhe Kosovës, përkatësisht Prishtinë – Graz.

Së paku, 1 mijë persona që përfituan ndihma sociale në Austri, u transportuan nga këta autobusë.

Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Austrisë thuhet se gjatë hulumtimeve nga agjencitë e sigurimeve sociale, është zbuluar se këta persona kishin adresa false në Austri dhe ishin regjistruar si të papunë për të marrë përfitime të ndryshme sociale, si: përfitime papunësie (Arbeitslosengeld), përfitime të sigurimit minimal (Mindestsicherung) apo shtesa familjare (Familienbeihile), transmeton Albinfo Austria.

Po ashtu, u qartësua mënyra se si janë marrë këto përfitime për një periudhë të gjatë pa u zbuluar nga autoritetet. Për këtë qëllim, disa persona regjistroheshin në një adresë të vetme rezidenciale dhe posa merreshin informatat se do të ketë kontrolle nga zyra e punësimit, ata që ishin jashtë vendit njoftoheshin dhe udhëtonin me autobus për në Austri. Veç kësaj, personat e regjistruar rrejshëm kishin edhe sigurim shëndetësor në Austri dhe mund të bënin termine mjekësore nëse kishin nevojë, dhe shpenzimet për trajtim paguheshin nga taksapaguesit austriakë.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se janë realizuar 1,737 udhëtimet me autobusë, ndërsa edhe vetë shoferët e autobusëve, që u kontrolluan më vonë, rezultuan si të papunë në Austri, rrjedhimisht duke marrë përfitime si të papunë, e njëkohësisht duke u paguar edhe si shoferë autobusësh.